Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është takuar me emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak. Kështu njoftoi kreu i PDK-së përmes një postimi në Facebook, ku tha se gjatë takimi u diskutua për zhvillimet politike në Kosovë. Krasniqi ka kërkuar nga Lajçak që të luajë një rol ndihmues për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës të vendosura nga Bashkimi Evropian.
“Në margjinat e Forumit Diplomatik të Antalisë, takova edhe të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak. Bashkë diskutuam për zhvillimet politike në Kosovë. Emisarit Lajçak i shpreha shqetësimin për masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe kërkova nga ai që të luaj rol ndihmues për heqjen e tyre”, shkroi Krasniqi.
Sipas tij, orientimi euro-atlantik i qytetarëve dhe shtetit të Kosovës është i paalternativë dhe i pakthyeshëm.