Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka deklaruar mbrëmë se Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka premtuar në Këshill të Evropës se Kosova do t’ia kthejë tokën Manastirit të Deçanit, mirëpo kryeministri Albin Kurti nuk ka lejuar që kjo të bëhet.
Muhaxheri ka thënë se Qeveria Kurti duhet të tregohet racionale dhe të mendojë për të ardhmen e vendit dhe ta përfundojë këtë çështje, që ka thënë se është kriter për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës
“Kjo qeveri që po lyp me u anëtarësu në Këshill të Evropës, dmth një kriter po e ka, s’po mundet 23 hektarë të Manastirit të Deçanit me ia kthy. Shkon Kryeparlamentari premton që i ka ba, ky shefi i vetë i thotë s’bën me ba, a ky atje ka premtu në Këshill të Evropës që ka me realizu këtë punë, ka me ia bartë pronën Manastirit të Deçanit dhe shefi mbas nuk e le dhe ku o fjala jote si kryeparlamentar, çka ki bo, çka ki fol jashtë. Sovraniteti i shtetit matet në besueshmërinë që e ka kryministri, presidentja edhe ky me obligimet që i ka marrë shtetërore para bashkësisë ndërkombëtare me i realizu. Këta s’janë në gjendje qato me i realizu. Dmth s’është në gjendje 23 hektarë tokë Manastrit të Deçanit me ia kthy për me u anëtarësu në Këshill të Evropës. Duhet me qenë racional dhe me mendu për të ardhmen e këtij vendi edhe me kry një veprim që është shumë i thjeshtë me u bë”, ka deklaruar Muhaxheri në Pressing të T7.
Ndryshe, vendet e QUINT’it tash e disa vjet shpresin shqetësimin se nuk po respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastirit të Deçanit dhe rregullisht u bëjnë thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i lejojnë manastirit ta regjistrojë tokën në kadastër
Autoritetet lokale në Deçan refuzojnë të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për t’i lejuar Manastirit të Deçanit që t’i regjistrojë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, sepse mendojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve sociale “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk i ka takuar asnjëherë manastirit.
Në shtator të vitit 2021, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka nxjerrë “vendimin për mosekzekutimin e aktgjykimit”, në të cilin konstatohet se vendimi i saj i vitit 2016 nuk është zbatuar.
Prokuroria Themelore e Pejës në Kosovë, në qershor të vitit 2022, ka nisur hetime kundër Komunës së Deçanit, për shkak të moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Kosova ka aplikuar 12 maj të vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Është themeluar më 1949. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.
Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë. Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore