Katër qytetarë nga Kosova, së paku tre prej tyre zyrtarë policorë, janë në kërkim nga Rusia.
Radio Evropa e Lirë siguroi dokumente që dëshmojnë se Rusia i konsideron tre zyrtarët policorë si të dyshuar për veprat “arrestim i paligjshëm” dhe “kidnapim”, të cilat në Rusi janë të dënueshme me deri në 12 vjet burgim.
Kërkesa për arrestimin e tyre i është dërguar edhe Agjencisë Ndërkombëtare të Policisë, INTERPOL.
Rusia pretendon se këta policë ishin të përfshirë në “arrestimin dhe keqtrajtimin” e Mikhail Krasnoshchenkovit në vitin 2019.
Krasnoshchenkov, me shtetësi ruse, ishte i punësuar atëkohë në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK.
Ai ishte udhëheqës i ekipit në Zyrën e UNMIK-ut në Zubin Potok – komunë kjo e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Kush janë policët që kërkohen?
Sipas raportimeve të mediave kosovare në ditët e para të muajit mars, në mesin e personave të kërkuar nga Rusia janë dy policë të njësive elitare të Policisë së Kosovës: Besart Ahmeti dhe Alban Jetullahu.
Por, Radio Evropa e Lirë siguroi qasje në listën e personave të kërkuar ndërkombëtarisht, të përpiluar nga Ministria e Brendshme e Rusisë, ku figuron edhe emri i Faruk Gashit, për të cilin REL-i kuptoi se është, po ashtu, pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Në listë gjendet edhe shtetasi tjetër kosovar B.H. – emri i plotë i të cilit është i njohur për redaksinë e REL-it. Megjithatë, REL-i nuk arriti të konfirmojë nëse ai është pjesëtar i Policisë së Kosovës, ose nëse ka kërkesë zyrtare në INTERPOL për arrestimin e tij.
Në listën e shtetit rus, ashtu si edhe në dokumentet e INTERPOL-it, ata përshkruhen si shtetas të Serbisë, meqë Rusia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.
Bazuar në raportin e INTERPOL-it për rastin e Besart Ahmetit, në të cilin REL-i kishte qasje, Krasnoshchenkov është urdhëruar përmes telefonit nga eprori i tij – më 28 maj, 2019, rreth orës 08:30 – që të shkonte në pjesën jugore të Mitrovicës për të monitoruar situatën e krijuar pas informacioneve se “kishin ardhur njerëz të armatosur” dhe pas humbjes së kontakteve me një punonjës tjetër të UNMIK-ut.
“Rrugës nga Zubin Potoku për në Mitrovicë, makina që ka vozitur Krasnoshchenkov, është sulmuar nga njerëzit, përfshirë Ahmetin, edhe pse Krasnoshchenkov ka treguar dokumentin identifikues. Ata e kanë nxjerrë Krasnoshchenkovin me dhunë nga makina, e kanë rrahur dhunshëm, e kanë lidhur dhe e kanë çuar në një ndërtesë në Mitrovicë, ku e kanë mbajtur kundër vullnetit të tij deri në orën 14:00, kur UNMIK-u ka protestuar kundër kidnapimit të zyrtarit të tij”, thuhet në raportin e INTERPOL-it.
REL-i u përpoq të fliste me këta pjesëtarë të policisë, por ata thanë se leja për të folur duhet të merret nga organet e policisë.
Deri në publikimin e këtij artikulli, policia nuk dha leje.