Avokatë dhe njohës të çështjeve juridike po konsiderojnë se Prokurorja, Rukije Shasivari, ka bërë një shkelje të pashembullt profesionale kur e ka lëshuar thirrjen për gazetarin, Lirim Mehmetaj.
Avokati kosovar, Faton Fetahu, thotë se hedhja poshtë e një kallëzimi të till penal kundër gazetarit Lirim Mehmetaj s’ka alternativë. Siç shkruan Fetahu, ftesa nga Prokuroria në radhë të parë është alarm për cenim të rolit dhe funksionit kushtetues e ligjor të prokurori dhe së dyti është cenim i të drejtës kushtetuese të Lirisë së Shprehjes
Avokati Fetahu thotë se një vepër e tillë për të cilën pretendohet, për t’u kualifikuar si e tillë duhet të mbështetet në elementë të figurës së veprës, që Fetahu thotë se në rastin në fjalë nuk ekzistojnë.
“Sepse, sikurse secila vepër penale, edhe vepra “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, për t’u konstituuar dhe kualifikuar si e tillë, kërkon mbështetjen në elementet e figurës së veprës e të cilat, si të tilla, në rastin e z. Mehmetaj as që ekzistojnë
Ky i fundit, as nuk ka nxitur e as përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare dhe etnike, por ka shprehur vetëm mendimet dhe bindjet e tij të lira politike dhe qytetare për zhvillimet të cilat lidhje nuk kanë me këto baza.”, ka shkruar ai.
Faton Fetahu në fund thotë se kryerja me dinjitet dhe integritet e punës nënkupton që kallëzimet penale të hidhen poshtë edhe kur ato ushtrohen nga politikanët.
“Të qëndruarit me dinjitet dhe integritet në krye të detyrës, nënkupton që edhe kur kallëzimet panale ushtrohen nga politikanët (dhe aq më shumë nga pushtetarët), të hedhën poshtë pa mëdyshme – kur nuk kanë bazë normalisht, pa pasur nevojë me u realizu seanca e marrjes në pyetje në procedurë paraprake. Përkundrazi, është guxim profesional i cili fatkeqësisht ju mungon disa prokurorëve”, ka përfunduar Fetahu
Ehat Miftaraj nga IKD thotë se gabimi i prokurores në rastin e gazetarit Lirim Mehmetaj është i pafalshëm. Miftaraj thotë se Prokurorja në fjalë ka nxjerr vendim për fillim të hetimeve pa e marrë fare në pyetje gazetarin Mehmetaj.
Ai tutje thotë se është lajm i mirë qasja e Kryerprokurorit të Themelores, që sipas Miftarajt ka paralajmëruar se një gabim i tillë do të përmirësohet.
“Prokurorja ne rastin e Lirim Mehmetaj ka bere një gabim profesional te pafalshëm.
E njëjta ka iniciuar një rast qe i takon kompetencave te PSRK. Ka nxjerr aktvendim për fillim te hetimeve pa e marr fare ne pyetje gazetarin Mehmetaj.
Lajm i mirë qasja e Kryeprokurorit te Prokurorisë Themelore ne Prishtine i cili sot komunikoi me publikun dhe ne një fare mënyrë na tregoi se do ta përmirësoj këtë gabim.
Sidoqoftë, prokuroret kur janë ne pyetje media, gazetaret, liria e shprehjes, demokracia duhet te kenë kujdes te shtuar dhe mos te bëjnë gabime te tilla amatoreske qe e cenojnë lirinë e medias dhe shprehjes se mendimit”, ka shkruar Miftaraj.