Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, thotë se çështja e kthimit të pronës te Manastiri i Deçanit duhet parë ekskluzivisht si çështje teknike, sepse bëhet fjalë për sundimin e ligjit.
“Është një çështje që nuk ka kuptim të politizohet, çfarëdo që të mendojnë politikanët për të. Është një vendim përfundimtar dhe, faktikisht, kur flasim për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, është një lloj kushti i drejtpërdrejtë”, ka thënë Weber për Radion Evropa e Lirë.
Ai thotë se çështja e Manastirit të Deçanit përmendet si pengesë edhe në raportet e ekspertëve dhe deputetëve në Këshillin e Evropës.
Do të ishte një shenjë pozitive, shton Weber, nëse Qeveria e Kosovës do ta zgjidhte tani çështjen e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e Manastirit ortodoks.
“Atëherë do të ishte vërtet e vështirë për shtetet anëtare, veçanërisht ato që mbështesin Kosovën e pavarur, të mos votojnë pozitivisht për aplikimin e Kosovës. Është e vështirë të parashikohet se cili do të ishte rezultati i votimit në atë kontekst, kur kemi bllokim të dialogut [për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë]. Por, Kosova sigurisht se do ta përmirësonte pozicionin e saj nëse më në fund do ta zbatonte vendimin për Manastirin e Deçanit”, thotë Ëeber.
A ka edhe kushte të tjera?
Weber nuk e përjashton mundësinë që shtetet anëtare të Këshillit të Evropës të mos e bazojnë vendimin e tyre për pranimin e Kosovës në këtë organizatë vetëm në kushte teknike, por në “motivimin politik”.
Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi në fillim të shkurtit se lëvizjet e njëanshme të Kosovës i kufizojnë mundësitë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të lobojnë për Kosovën në skenën ndërkombëtare.
Ai reagoi kështu pasi Qeveria e Kosovës i shpërfilli thirrjet e shteteve perëndimore për pezullimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që e heq dinarin serb nga qarkullimi.
Bashkësia ndërkombëtare mendon se kjo rregullore ndikon negativisht te komuniteti serb në Kosovë, i cili merr të ardhura nga buxheti i Serbisë.
Weber beson se lëvizjet e tilla të Qeverisë së Kosovës mund të ndikojnë negativisht në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ai shton se kjo çështje mund të kushtëzohet me përparimin në dialogun e Kosovës me Serbinë dhe zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, të cilën dy palët e pranuan vitin e kaluar, me propozim të Bashkimit Evropian.
“Ai [dialogu] ka lidhje me këtë, sepse Kosova ka nevojë për mbështetjen e shumicës së anëtarëve të Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës”, vlerëson Weber.
Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ka paralajmëruar më herët se do të përpiqet ta pengojë pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, edhe pse me Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve është dakorduar që të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare