Të paktën 9 mijë gra janë vrarë në Gaza që nga 7 tetori, tha në një deklaratë të premten Ministria e Shëndetësisë e vendit.
Rreth 60 mijë gra shtatzëna në Rripin e Gazës vuajnë nga “kequshqyerja, dehidratimi dhe mungesa e kujdesit të duhur shëndetësor”, thotë gjithashtu kjo ministri.
Rreth 5 mijë gra shtatzëna lindin çdo muaj në “kushte të vështira, të pasigurta dhe jo të shëndetshme”, thuhet gjithashtu në deklaratë, raporton CNN,
Agjencia e OKB-së për Ndihmë dhe Punë (UNRWA), e cila është agjencia kryesore e ndihmës në Gaza, tha në X (ish-Twitter), se mesatarisht 63 gra vriten në enklavë në ditë.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, gratë në Gaza vazhdojnë të durojnë pasojat e kësaj lufte brutale”, thuhet në deklaratë.
Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA, Philippe Lazzarini tha se kërkohet më shumë punë për të mbështetur dhe mbrojtur gratë.
“Një armëpushim i menjëhershëm është minimumi”, u shpreh ai.