Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka deklaruar se tensionet në veri e dëmtojnë imazhin e Kosovës në sytë e investitorëve potencialë, prandaj kërkon më shumë angazhim në përmbyllje të dialogut me Serbinë.
Krahas mungesës së investimeve të huaja, nga brende serioze tash e sa vjet, dëmet e shkaktuara prej masave të Bashkimi Evropian, kapin shifrën e 300 milionë euro, thotë Rafuna në një intervistë për Ekonomia Online.
“Tek pjesa investimeve kemi nevojë shumë. Është e vërtetë që nuk qëndrojmë mirë, sidomos më shumë kualitative, në kuptimin që me sjellë prodhues, me sjellë brende që janë të njohur jo vetëm në Evropë, po edhe më gjerë. Pra brende që janë të njohura botërisht, të cilat neve nuk kishin me na sjellë vetëm të mira materiale në kuptimin e makinerisë, por do të na kishin sjellë edhe njohuri dhe do të na kishin shërbyer edhe për të mirë për ta ndryshuar imazhin e Kosovës dhe për të përçuar një mesazh edhe të investitorë të tjerë që Kosova është një vend stabil”, thotë Rafuna.
“Çështjet e hapura që i kemi me Serbinë, ne duhet të i mbyllim sa më shpejt që është e mundur në mënyrën më të mirë të mundshme me njohje, me marrëveshje finale për njohje të ndërsjellët domethënë edhe Serbia me na njoftë si shtet, edhe ne Serbinë si shtet, ashtu siç ka qenë qëllimi prej fillimi”, u shpreh Rafuna.
Rafuna thekson se ngjarjet si ato në veritë vendit i largojnë investitorët e huaj, pasi në mediat ndërkombëtare Kosova paraqitet si shtet jostabil dhe me tensione.
“Tensionet që ndodhin në Kosovë pa dyshim që nuk janë një mesazh i mirë për investitorët e huaj. Dihet që mediat botërore, thuajse hiq ose rrallë shumë, japin lajme të mira ose mesazhe që Kosova është një vend me një rini shumë të mirë ose që Kosova ka një potencial të mirë për të thithur investime të huaja, por zakonisht ato i paraqesin fotografitë kur ka tensione, kur mbyllet një rrugë ose siç e kishim rastin e sulmit ndaj ushtarëve të KFOR-it nga ana e ekstremistëve serbë në pjesën veriore. Dhe një investitor i huaj, një qytetar i huaj, ai nuk e di si është gjendja, çfarë lloj incidentesh janë ato dhe kështu që njëfarë forme hezitojnë me ardhë me investua në Kosovë”, u shpreh Rafuna.
Ndërsa dëmet e shkaktuara prej masave të Bashkimi Evropian, kapin shifrën e 300 milionë euro. Kjo shumë, thotë Rafuna shkon duke u rritur për ditë.
“Kërkesa jonë është edhe ndaj institucioneve këtë rast Qeverisë së Republikës së Kosovës, që këto masa të largohen sa më shpejt, kërkesa jonë orientohet te qeveria që të bëjë gjithçka brenda kapaciteteve të tyre, që t’i plotësojnë kushtet që kërkohet mënyrë që të largohen sa më shpejt këto masa se jo vetëm që po ndikojnë që ne mos me thithë burime, mos me thith projekte, projekte që deri më tani sipas informatave që i kemi sillen rreth 300 milionë, mirëpo kjo shkon duke u rritur për arsye se çdo muaj vijnë projekte të reja që ne nuk mund t’i marrim se nuk mund të implementojmë për shkak të masave që janë vendos”, thotë Rafuna.