Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, ka zbuluar se të rinjtë në emigrim kanë nisur një fushatë ku kërkojnë të jenë pjesë e votuesve në zgjedhjet e 2025
Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku tha se në katër vite diskutime në Komisionin e Reformës Zgjedhore nuk ka ende një përfundim pozitiv mbi këtë çështje.
Postimi i plotë:
Ndërsa Komisioni Reformës Zgjedhore po vazhdon takimet pa ndonjë produkt real, të rinjtë shqiptarë të shpërndarë në katër cepat e botës, kanë nisur një fushatë të titulluar “Dua të votoj në 2025”.
Numri bashkombasve të larguar nga vendi në këto tre dekada është i lartë aq sa 604 mijë prej tyre kanë marrë një pasaportë tjetër veç asaj shqiptare. Vetëm për vitin e fundit numërohen 55 mijë qytetarë që janë larguar nga Shqipëria duke na rivendosur në listën e vendeve me largimin më të lartë të trurit. Shqipëria që deri dje ishte vaska e talenteve dhe me moshën mesatare më të ulët, u kthye në shkretëtirë
Të gjitha shifrat e mësipërme drejtojnë gishtin tek arsyeja kyçe që është: dështimi i politikës për të krijuar një sistem konkurues, treg të hapur dhe mundësi të drejta edhe barabarta për të gjithë. Dështimi i këtyre kërkesave minimale ka krijuar një vend ku mungon meritokracia, ku mundësitë dhe shanset i jepen pakicës ndërsa shumica punon për këtë pakicë pa fituar asgjë
Pak ditë më parë një mjek i ri që po bën specializimin në Leipzig më tregoi se në pavionin ku ai po kryente specializimin 5 nga 10 te huaj janë shqiptarë. Ky është një shembull i vogël por domethënës se çfarë po ndodh me emigrimin në masë të shqiptarëve jo vetëm në fushën e mjeksisë. Largime masive që ndikojnë në ekonomi, në zhvillimin e vendit dhe gjithashtu sjellin pasoja të dukshme si rënia e konsumit (që ra me 0.53% në mes të boom-it turistik) dhe plakja e popullsisë, boshatisjen e klasave dhe zhdukjen e qyteteve (20 mijë nxënës më pak për shkak të emigrimit).
Sifda e largimit nuk rregullohet me fjalë apo premtime boshe por ka nevojë për një vizion të qartë qeverisës. Vetë bashkombasit tanë që janë larguar nga Shqipëria kanë të drejtën që të zgjedhin vizionin që duan për të drejtuar vendin tonë. Me pak fjalë detyra jonë si politikbërës është që t’u rikthejmë atyre të drejtën e votës që mekanizmat dhe përllogaritjet elektorale ua kanë mohuar. Duke pasur parasysh të drejtën kushtetuese që ata të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në kuvendin e Shqipërisë, bashkë me një grup kolegësh kam dorëzuar në Parlament një nismë ligjore “Për Votën e Diasporës” që në fakt është propozimi i vetë një pjese të diasporës që kanë ngritur një platformë tejet eficente të përbërë nga intelektualë aktivë në jetën e vendit tonë.
Me durim kemi pritur të gjithë që në këto 4 vite Komisioni Reformës Zgjedhore të shqyrtonte edhe këtë propozim. Por, rezultati nuk ka qenë dhe aq pozitiv sa çfarë pritej. Gjithsesi, sa ka jetë ka edhe shpresë! Për pasojë në nxitim edhe nga koha që vrapon thirrja ime i shkon dhe një herë kolegëve të mi në kuvend që të lënë me një anë spektaklin dhe të merren me atë propozim që qendron në sirtarët e ftohtë të kuvendit. Ta marrim dhe ta diskutojmë për të mirën e përfaqësisë në parlament. Koha nuk pret! Detyra jonë nuk është t’i plotësojmë tekat e politikës së momentit por të sigurojmë të drejtat kushtetuese bashkombasve tanë. Vota e diasporës nuk është vetëm çështje e besimit tek politika, por një e drejtë që i duhet dhënë atyre.
Ps. foto nga një e rë në Heilberg “Dua të votoj në 2025”