“Kërcënimet e sigurisë në Ballkan nga Serbia”: Zgjerimi shihet domosdoshmëri gjeopolitike

by Merita

Pushtimi rus i Ukrainës ka rritur vendosmërinë e Evropës për të mbrojtur arkitekturën e saj të sigurisë dhe demokracinë. Në të njëjtën kohë, shumë politikanë dhe analistë kanë kthyer vëmendjen e tyre kah Ballkani Perëndimor, nga frika e ndikimit rus në një rajon të rrënuar tashmë nga paqëndrueshmëritë politike.

Tensionet atje janë të vazhdueshme edhe rreth tri dekada pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

Bosnje e Hercegovina dhe Kosova janë dy vende që veçohen si më të cenueshme nga disa analistë. E para, për shkak të tensioneve etnike dhe udhëheqësit pro-rus të serbëve, Millorad Dodik, i cili shpreh hapur ambiciet e tij për ndarje nga pjesa tjetër e vendit.

“Liria është ajo që na duhet. Nuk kemi nevojë për kolonizatorë; nuk kemi nevojë për mësues. Ky komb nuk e ka lejuar kurrë veten të jetojë i robëruar”, ka thënë Dodik në një tubim para mbështetësve të tij në Banjallukë.

Kosova, në anën tjetër, ka çështje të hapura me Serbinë – vendin që ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe është i vetmi në Ballkanin Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione kundër saj, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në një nga mbledhjet e fundit të Qeverisë së tij se Serbia me “metodat” e presidentit rus, Vladimir Putin, përbën rrezik për Kosovën.

Duke folur në një konferencë rajonale në Prishtinë, ka thënë se në dy vjetët e parë të qeverisjes së tij, Serbia ka dërguar katër herë ushtrinë e saj në kufi me Kosovën, ka sponsorizuar terrorizmin dhe ka shpërndarë lajme të rreme për të justifikuar veprimet e saj agresive.

Kurti ka thënë se Bashkimi Evropian dhe NATO-ja i janë përgjigjur drejt pushtimit rus të Ukrainës, duke futur Finlandën dhe Suedinë në aleancën ushtarake, dhe duke u dhënë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.

“Kërcënimet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor nga Serbia duhet të trajtohen me të njëjtën qasje, duke i dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian dhe anëtarësinë në Këshillin e Evropës”, ka thënë Kurti.

Po ashtu, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka thënë se agresioni rus në Ukrainë e ka bërë të domosdoshëm zgjerimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor. Kjo, sipas saj, do ta bënte më të fortë edhe Evropën.

“Lufta ruse e agresionit nuk bëhet vetëm me bomba, raketa, dronë dhe me sulmet më të këqija kundër popullatës civile në Ukrainë. Ajo përfshin edhe luftën hibride. Zgjerimi është domosdoshmëri gjeopolitike”, ka thënë Baerbock.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina – janë në faza të ndryshme të procesit të pranimit në BE.

Rruga është e gjatë – ato duhet t’i përafrojnë ligjet me ato të BE-së dhe të dëshmojnë se institucionet dhe ekonomitë e tyre i përmbushin normat demokratike.

Procesi ka shkuar shumë ngadalë, por pas pushtimit rus të Ukrainës, BE-ja ka ndarë një paketë prej 6 miliardë eurosh për t’i ndihmuar ato si në reforma, ashtu edhe për t’u larguar nga ndikimi rus.

Analistët nuk presin që gjërat të ndryshojnë brenda natës. Thonë se hezitimi për kohë të gjatë i BE-së për t’u zgjeruar – për herë të fundit në vitin 2013 me Kroacinë – ka koston e vet.

Vessela Tcherneva, nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se disa vende të rajonit kanë gjetur tashmë partnerë alternativë.

“Për shembull, Serbia luan lojën e të zgjedhurit midis BE-së në njërën anë dhe Rusisë dhe Kinës në anën tjetër. Ky trend është në rritje. Dhe, mendoj se politikëbërësit evropianë e kanë të qartë tashmë se paqëndrueshmëria në një rajon, i cili gjeografikisht nuk është vetëm pjesë e kontinentit, por në zemër të kontinentit, mund të jetë shumë, shumë e rrezikshme”, thotë Tcherneva.

Në fjalimin për gjendjen e BE-së, të mbajtur në shtator të vitit 2023, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se BE-ja duhet t’i përgjigjet “thirrjes së historisë” dhe të pranojë një numër të madh vendesh, përfshirë nga Ballkani Perëndimor. “E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Unionin tonë” ka thënë ajo.

Pak ditë para kësaj, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se BE-ja do të mund të pranojë vende të reja anëtare deri në vitin 2030, por se ato “nuk duhet të importojnë konflikte nga e kaluara”.

Kosova dhe Serbia e kanë normalizimin e marrëdhënieve kusht për përparim në rrugën e integrimit evropian.

Bechev thotë se të gjithë liderët ballkanikë mund të angazhoheshin më shumë në zbatimin e reformave, por shton se BE-ja ka përgjegjësi, gjithashtu, për mungesën e suksesit në procesin e zgjerimit.

Sipas tij, Ballkani Perëndimor ka qenë gjithmonë në agjendë të BE-së, por jo top-agjendë, qoftë për shkak të hezitimit të disa liderëve për t’u zgjeruar, qoftë për shkak të problemeve të brendshme të BE-së.

Sidoqoftë, pas nisjes së luftës në Ukrainë, BE-ja ka marrë disa hapa për të konsoliduar pozicionin e saj dhe për të parandaluar përçarjet në kontinent, raporton Radio Evropa e Lire

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy