Pas vendimit të Gjykatës së Lartë e cila urdhëroi SPAK të hetonte dosjen e 21 janarit ku mbetën të vrarë 4 protestues, ka reaguar kryeministri Edi Rama.
Rama tha se “vendimi i Gjykatës së Lartë për kthimin në jetë të dosjes së përgjakur të 21 janarit, ka kthyer në jetë shpresën e varrosur në mendjen e shumë shqiptarëve, se ajo dosje e një krimi të egër shtetëror nuk do të dilte më nga varri i drejtësisë së kalbur shqiptare!”
“Ky vendim i ka rihapur rrugën e mbyllur kaq shumë vite, syrit së drejtësisë mbi vendin dhe autorët e atij krimi, duke e kthyer vendimin e qartë të Gjykatës Europiane të të drejtave të Njeriut në një mundësi konkrete për drejtësinë e re, që të bëjë histori me vendosjen e një drejtësie të drejtë”, ka shkruar Rama në një postim në rrjetin social X
“Me frymëmarrjen e lehtësuar nga vendimi i sotëm dhe vetëdijen se rruga drejt shpagimit përfundimtar nga drejtësia e gjakut të pafajshëm të katër dëshmorëve të 21 janarit është ende e përpjetë, dua t’u them të gjithë atyre që në këto vite të gjata nuk i kanë kursyer fjalët e hidhura në drejtimin tim e të PS: Keni të gjithë mirëkuptimin tim, po kurrë mos e humbni besimin tek forca jonë e përbashkët dhe Shqipëria që po bëjmë me përpjekjen tonë të përbashkët”, përfundon reagimin e tij kryeministri
Gjykata e Lartë vendosi këtë të martë që hetimet për “21 janarin” të zhvillohen nga Prokuroria e Posaçme SPAK.
Gjykata e Lartë ka pranuar rekursin e Raimonda Nikës, bashkëshortes së viktimës Aleks Nika, duke vendosur që dosja për “21 janarin” të hetohet nga Prokuroria e Posaçme dhe jo nga Prokuroria e Tiranës ku dosja ndodhet aktualisht