27
Deputeti i LDK-së në Parlamentin e Kosovës, ish-Kryeministri z.Avdullah Hoti ka njoftuar nëpërmjet faqes elektronike për përfundimet e nxjerra nga raportimi i Guvernatorit të BQK-së z.Ahmet Ismaili lidhur me pjesëmarrjen e tij takimin e Brukselit në kuadër të dialogut me Serbinë. Këtë njoftim z.Hoti e ka përmbledhur në 6 pika konkrete si në vijim:
- Guvernatori nuk ka pasur ftesë nga ndërmjetësi i BE-së për dialog. Ftesën e ka pranuar Qeveria, e cila e ka përcjellë atë tek Guvernatori. Edhe pse Guvernatori deklaroi se e ka parë të panevojshme të shkojë në Bruksel, ka vendosur të shkojë.
- Takimi i dialogut në Bruksel është bërë mes Guvernatorit dhe disa zyrtarëve të ministrisë së financave të Serbisë. Takimi nuk ka qenë me homologun e tij.
- Nuk ka asnjë informatë zyrtare me shkrim se çfarë është biseduar në takim me palën serbe. Guvernatori deklaron se, “nuk ka biseduar asgjë që nuk është dashur të bisedohet”. Kaq për transparencën e këtij takimi.
- Ekziston një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që qartëson se, Qeveria e Kosovës është i vetmi institucion që përfaqëson Kosovën në dialog me Serbinë. Rrjedhimisht, pjesëmarrja e Guvernatorit në këtë takim nuk është në përputhje me autorizimet ligjore të tij. Kompetencat e Guvernatorit sipas nenit 37 të Ligjit për BQK nuk parashohin se Guvernatori e përfaqëson Kosovën në dialog me një vend fqinj për zbatimin e rregullores së BQK-së.
- Rrjedhimisht, Guvernatori i BQK-së është instrumentalizuar nga Qeveria e Kosovës.
- Shqetësim mbetet fakti se çdo koordinim lidhur me këtë rregullore ka pasur mundësi të bëhet në zyrën e Guvernatorit në BQK.