I dërguari i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar e ka quajtur presidenten Vjosa Osmani, trashëgimtare të marrëdhënieve bilaterale mes SHBA-së dhe Kosovës.
Ai këto komente i bëri pas takimit që zhvilloj me presidenten Osmani
“Faleminderit zonja Presidente për mikpritjen e ngrohtë në Kosovë. Ju jeni karakteri kryesor dhe trashëgimia e marrëdhënieve bilaterale mes SHBA-së dhe Kosovës dhe dua të them se kjo trashëgimi është e bazuar në një përkushtim të qëndrueshëm për sigurinë, integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës”, u shpreh Escobar.
Kujtojmë se një ditë më parë emisari amerikan theksoi se me kryeministrin Albin Kurti kanë probleme në komunikim.
“Partneriteti në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes popullit amerikan dhe atij të Kosovës, nuk depërton përmes një njeriu në Kosovë, apo një partie. Mirëpo, më duhet të them që aktualisht kemi probleme në komunikim me kryeministrin e Kosovës, dhe jo vetëm SHBA-ja, është problem që e ka Kosova edhe me BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar dhe më shumë partnerë, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”
Ai ka thënë se komunikimi me Kosovën ka qenë shumë i mirë në të kaluarën dhe shpreson që e njëjta situatë do të jetë edhe në të ardhmen.