Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës e cila ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që t’ia njohë Manastirit të Deçanit të drejtën në pronë në 24 hektarë.
Hovenieri ka thënë se ky vendim demonstron përkushtimin e Kosovës për të ruajtur sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit
“Siç tha sot në mëngjes zëvendësndihmës sekretari Gabriel Escobar, vendimi i sotëm për Manastirin e Deçanit ishte një hap i domosdoshëm dhe falënderojmë liderët kosovarë për përpjekjet e tyre për ta çuar këtë përpara”, ka shkruar ambasadori amerikan në rrjetin social “X”.
Appreciate the decision to move forward on @DecaniMonastery land registration – demonstrating Kosovo's commitment to upholding rule of law & judicial independence. As Deputy Assistant Secretary Gabriel Escobar said this morning, today's decision on Decani monastery was a…
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) March 13, 2024
Vendimi për pronat e Manastirit të Deçanit është marrë në mbledhjen e ekzekutivit të mërkurën. Kryeministri Albin Kurti para kabinetit qeveritar tha se këtë vendim e ka marrë për ta hequr si kusht për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka qenë para dy opsioneve: Të plotësojë këtë kusht dhe që Kosova të pranohet në Këshill të Evropës apo të ngelë pa u anëtarësuar. Sipas tij, vendimi është marrë “duke u prirë nga arsyeja e shëndoshë”. Kurti ka thënë se vendimin vazhdon ta cilësojë të dëmshëm, por ka shtuar se pranimi në KiE do të ishte fitore historike.