Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka dalë me një reagim pasi Kryeministri Albin Kurti urdhëroi Agjencionin Kadastral të Kosovës që t’a regjistrojë pronën Manastirit të Deçanit.
Ai ka bërë me dije se Agjencioni tashmë ia ka regjistruar pronën Manastirit,
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016, për 24 hektar të pronave, i cili vendim u zbatua sot, nga Agjencioni Kadastral i Kosovës me urdhëresë të Kryeministrit”, ka shkruar Ramosaj.
Ai e ka quajtur këtë goditje ndaj Deçanit, derisa ka thënë se ka tri vjet që e pret Kurtin për të diskutuar për këtë temë.
“Qe tri vite po pres që ky Kryeministër të më takoj një herë të vetme, për të diskutuar edhe për këtë temë për të cilën dha Urdhër Ekzekutiv sot! “Kur nuk je i zoti të bësh një hajr në këtë vend, është mirë të mos i bësh as sherr këtij vendi”!”, ka shkruar Ramosaj.
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar sot në mbledhjen e Qeverisë se i ka kërkuar Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’ia regjistruar pronën Manastirit të Deçanit.
Tha se kjo po bëhet për të arritur një qëllim shumë më madhor, duke aluduar për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
“Për të arritur një qëllim shumë më madhor që ia kemi borxh shtetit e që hap mundësi të papara më herët ne duhet të bëjmë një hap përpara me maturi e përgjegjësi si një vend i pavarur e sovran. Andaj, sot i kemi thënë Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Kurti në të kaluarën ka qenë njëri ndër kundërshtarët më të zëshëm që këto prona t’i jepen Manastirit.
Kjo çështje është riaktualizuar nga shtetet e QUINT’it gjatë qeverisjes së Kurtit sidomos pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Javën që shkoi Qeveria sinjalizoi se është pajtuar që këto prona t’i kalojnë Manastirit të Decanit pasi ky është një kusht që Kosova të bëjë hapin e radhës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Sido që të jetë, dhënia e pronës nuk pritet ta përfundojë çështjen e anëtarësimit në këtë organizatë pasi edhe vetë qeveritarët presin që anëtarësimi përfundimtar të kushtëzohet edhe me cështje tjera.
Autoritetet lokale në Deçan kanë refuzuzuar në vazhdimësi ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për t’i lejuar Manastirit të Deçanit që t’i regjistrojë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, me arsyetimin se kjo pronë është e ndërmarrjeve sociale “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk i ka takuar asnjëherë manastirit.
Në shtator të vitit 2021, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka nxjerrë “vendimin për mosekzekutimin e aktgjykimit”, në të cilin konstatohet se vendimi i saj i vitit 2016 nuk është zbatuar.
Prokuroria Themelore e Pejës në Kosovë, në qershor të vitit 2022, ka nisur hetime kundër Komunës së Deçanit, për shkak të moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese