Protesta e cilësim si “vendim i regjimit të Millosheviqit”, arkiva Kurtit dhe VV-së për çështjen e  Manastirit të Deçanit

by Nexhat

Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se ka udhëzuar Agjencinë Kadastrale të Kosovës që t’ia regjistrojë Manastirit të Deçanit 24 hektarët tokë që ia kishte legjitimuar vite më parë Gjykata Kushtetuese e Kosovës,

“Andaj, sot i kemi thënë Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kurse ministrja e punëve të jashtme dhe diasporës, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese për këtë çështje Këshillit të Evropës”, ka deklaruar Kurti ne mbledhje të Qeverisë.

Ky vendim i Kurtit ka nxitur reagime të shumta në vend, pasi që përgjatë gjithë të kaluarës së tij politike, Kurti dhe partia që udhëheq kanë qenë kundër implementimit të një vendimi të tillë.

Në faqen zyrtare të Lëvizje Vetëvendosje vazhdon të jetë aktive komunikata e lëshuar nga Dega e Vetëvendosjes në Deçan si kundërshtim për vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kontestin pronësor në mes të Komunës së Deçanit dhe Manastirit.

Vendimi, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, ishte i papranueshëm dhe legjitimonte politikat fashiste, kolonizuese dhe gjenocidale të Serbisë ndaj Kosovës.

“Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm ngase përveç se shpronëson punëtorët e ndërmarrjeve “Iliria” dhe “Apiko” duke iu referuar legjislacionit të vitit 1997 ku këto prona në mënyrë të dhunshme nën kushte okupimi u bartën në pronësi të Manastirit të Deçanit, legjitimon edhe politikat fashiste, kolonizuese e gjenocidale të Serbisë ndaj Kosovës e shqiptarëve. Është e habitshme se si institucione të larta si Gjykata Kushtetuese marrim një vendim për të legjitimuar vendimet e një regjimi që u cilësua si regjim kriminal e gjenocidal nga e gjithë bota në atë kohë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje kohë më parë.

Edhe në një fjalim në Kuvendin e Kosovës, Kurti shprehej se Manastiri i Deçnit ka oborrin e vetë dhe se atyre iu duhet ca tokë që iu nevojitet priftërinjve për jetesë dhe punë, mirëpo kishte thënë se një gjë e tillë s’mund të bëhet në llogari të qytetarëve të Deçanit. Sipas Kurtit, Manastirit mund t’i duhen 3 apo 4 hektarë, por jo më shumë.

Qëndrim të njëjtë për Manastirin Kurti ka pasur edhe disa vite prapa. Në vitin 2022 në një intervistë për RTK, vendimin për dhënien e 24 hektarëve për Manastirin e Deçanit, e kishte cilësuar si “vendim të regjimit të Millosheviqit”

“Unë e kuptoj që Manastiri i Deçanit duhet të ketë një hapësirë, unë e kuptoj që kanë nevojë për qetësinë e ambientit, ndihmën e Qeverisë së RKS-së, mirëpo ne kemi rezervën e zakonshme për vendimet e regjimet e Millosheviqit, të cilat për bindjen time janë pranuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila e ka trajtuar një lëndë pa kaluar në faza të zakonshme. Me ç’rast nuk duam t’i dominojmë, por në të njëjtën kohë besoj se duhet të hasim në mirëkuptimin e tyre, se vendimet e regjimit të Millosheviqit nuk mund të jetojnë në shekullin tonë”, kishte thënë Kurti.

“Ne nuk mund të kthehemi as para vitit 1999, e as para 2008 e 2012, kur është hequr mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës. Këto janë gjëra të cilat kanë ndodhur në të kaluarën, jemi këtu ku jemi dhe çfarëdo përpjekje për t’u kthyer në të kaluarën unë besoj që nuk mund të ketë të ardhme”, ka deklaruar Kurti në vitin 2022.

Edhe në një intervistë tjetër, i pyetur për vendimin për Manastirin e Deçanit, Kurti kishte thënë se në aktgjykim ka pasur shkelje procedurale.

Përveç Kurtit, vendimin e Kushtetueses për Manastirin e kanë kundërshtuar edhe figura të tjera të Lëvizjes Vetëvendosje. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në një intervistë për “Context” të ATV-së kishte thënë se vendimi është tepër problematik në përmbajtje dhe për mënyrën se si është marrë. Çeku duke përmendur presionin ndërkombëtar për ta zbatuar vendimin, kishte thënë se nuk është aq e thjeshtë dhe se duhet diskutuar rrethanat e tjera

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy