Atasheu britanik i Mbrojtjes në Kosovë, John Green, ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë bashkëpunimin me Kosovën.
“Kam qenë në këtë vend të bukur që nga dhjetori, dhe kam parë personalisht fuqinë e bashkëpunimit mbrojtës mes dy vendeve tona. Forcat e armatosura të vendeve tona mbesin miq të ngushtë, dhe kanë qenë që nga lindja e këtij vendi. Ky vit është natyrisht veçanërisht i rëndësishëm pasi shënon 25 vjetorin e intervenimit të NATO-s këtu, intervenim ku Mbretëria e Bashkuar pati rol udhëheqës”, tha nënkoloneli Green në një video-mesazh në faqen e re të krijuar në X (ish-Twitter), .
Ai tha se Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova kanë plane të mëdha për forcimin e bashkëpunimit të mëtejmë gjatë këtij viti.
“Aleanca më e suksesshme mbrojtëse në histori, NATO, përmes KFOR-it, ka ndihmuar të ofrojë ambient të sigurt në Kosovë që nga ajo kohë. Mbretëria e Bashkuar ka dëshmuar edhe një herë përkushtimin tonë si ndaj NATO-s ashtu edhe ndaj Kosovës, me zbarkimin e forcës rezervë strategjike në tetor. Vendet tona kanë plane të mëdha për të forcuar bashkëpunimin tonë edhe më tej më 2024”.
Nënkoloneli John Green, Atasheu i ri britanik i Mbrojtjes në Kosovë, tha se Ministria britanike e Mbrojtjes do të vazhdojë të mbështesë ministrinë e Mbrojtjes të Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës me këshilla, trajnime dhe me pjesëmarrje në ushtrime të përbashkëta.
“Kjo, bashkë me mbështetjen tonë ndaj ofrimit të pajisjeve për Qendrën Ndërkombëtare për Trajnime për Kërkim-Shpëtim, do të kontribuojë në synimin tonë të përbashkët për të garantuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon dhe në mbarë botën”, potencoi Nënkoloneli John Green.