Në emisionin EURO n’7 me Menduh Abazi, Ardian Bajraktari, i cili deri vonë që pjesë e stafit profesional të Ministrisë së Drejtësisë e tash avokat ka thënë se janë tepër shqetësuese sulmet që vazhdimësi i bëhen organeve të drejtësisë nga qeveria sa herë që vendimet nuk u shkon për shtati.
“Këto sulme të vazhdueshme të qeverisë ndaj gjyqësorit e minojnë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë i cili edhe ashtu nuk është në nivelin e duhur. Qeveria në vend se të sulmonte organet e drejtësisë do të duhej të angazhohej në hartimin e ligjeve të mira dhe përveç kësaj të sigurohen që kërkesat buxhetore të organeve të drejtësisë të realizohen në mënyrë që ata të kenë mundësi të forcohen me kuadrot profesionale që t’i kryjenë punët e tyre profesionale. Pra nuk duhet të ndodh asnjëherë që qeveria të sulmoj dhe etiketoj me emra dhe mbiemra prokuror e gjyqtar ky është sulm direkt në punën e gjyqësorit”, ka thënë Bajraktari.
Bajraktari ka shpjeguar se edhe pse gjyqtarët dhe prokurorët kanë mbrojtje ligjore ata nuk kanë mbrojtje fizike dhe mund të ndodh shumë lehtë që ata të sulmohen edhe fizikisht sidomos në rastet në rastet kur kryeministri publikisht kërkon të dijë emrin dhe mbiemrin e prokurorit për raste të caktuara.
“Kemi pasur rast kur kryeministri ka pyetur publikisht se kush është prokurori që ka marrë këtë vendim dhe nuk përjashtohet mundësia që ndonjë militant partiak edhe ta sulmoi atë prokuror. Personat që bartin pushtet dhe kanë mbas vetës elektorat duhet të jenë shumë të kujdesshëm me thirrje të tilla ngase mund të ketë edhe pasoja të mëdha”, ka shtuar tutje avokati Bajraktari.