Caka-Nimani përmend disa prej grave që u vranë nga burrat: Inicialet e tyre reflektojnë dështimin e shtetit

by Merita

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, ka përmendur disa raste të vrasjeve të grave në Kosovë, gjatë konferencës “Zbatimi i Konventës së Stambollit përmes praktikës gjyqësore: Dialogu gjyqësor për përgjigje gjyqësore efektive”.

Ajo fillimisht përmendi rastin e Diana Kastratit dhe Sebahate Morinës.

banner

“Praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila është e bazuar mbi praktikën gjyqësore evropiane për të drejtat e njeriut, duhet të ketë rol parësor në dialogun gjyqësor për zbatimin e Konventës së Stambollit. Kjo praktikë gjyqësore përtej që është e konsoliduar në kontekst të parimeve që ndërlidhen me barazinë gjinore, ajo gjithashtu ka vendosur parimet që ndërlidhen me detyrimet pozitive të shtetit për mbrojtjen e së drejtës në jetë. Kjo e fundit vë në pah një fenomen i i cili ka shkaktuar zemërim dhe shqetësim kolektiv, vrasjen e grave. Në këtë kontekst kjtoj që në fillet e themelimit të saj, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar dështimin e përmbushjes së detyrimeve pozitive të shtetit përkatësisht shkeljen e së drejtës në jetë me rastin e Diana Kastratit”.

“Një dekadë më tej, rishtazi, Gjykata sërish konstaton shkelje të detyrimeve pozitive të shtetit, përkatësisht shkelje e së drejtës në jetë në rastin e Sebahate Morinës. Këto dy gra, qytetare të Republikës së Kosovës, viktima të mentalitetit dhe shoqërisë, dhe viktima të dështimit të përmbushjes së detyrimeve të institucioneve shtetërore fatkeqësisht nuk janë të vetme”, tha ajo, njofton Klankosova.tv.

Caka-Nimani tutje tha se inicialet e grave të vrara në vendin tonë, reflektojnë histori të trishta të grave kosovare që i janë nënshtruar dhunës në familje.

“Më 7 gusht 2018, një grua e vrarë nga burri i saj, bashkë me vajzën e saj, në prani të familjarëve vetëm sepse kishte guxuar të refuzoj të kthehet në martesën e karakterizuar me dhunë të vazhdueshme në familje. 6 gusht 2019, një grua e vrarë duke pritur taksin që e kishte thirrur vajza e saj për ta shpëtuar nënën nga aktet e dhunës nga burri i saj. 25 qershor 2020, një grua e vrarë në prani të fëmijëve nga bashkëshorti i saj i dënuar paraprakisht për dhunë në familje. 5 janar 2022, një grua tjetër e vrarë me 6 plumba në prani të vajzave, i dënuar për dhunë në familje. As këto nuk janë gra të vetme, po i përmend vetëm sepse rastet që ndërlidhen me vrasjet e tyre tashmë kanë përfunduar me vendime gjyqësore të formës së prerë. Inicialet e grave të vrara nuk janë thjesht statistika, inicialet e tyre reflektojnë histori të trishta të grave kosovare që i janë nënshtruar dhunës në familje. Reflektojnë dështimin e shtetit, dështimin e shoqërisë, për më tepër, inicialet e tyre thërrasin për bashkërendim dhe mobilizim të menjëhershëm në identifikimin e arsyeve strukturore që rezultojnë në pabarazi e dhunë në familje”, tha kryetarja Caka-Nimani.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese poashtu tha se “një nga karakteristikat qendrore të Konventës së Stambollit është thirrja për veprim e përgjigje gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar ndaj të gjitha formave të dhunës ndaj grave”, duke shtuar se konferenca e sotme do të “shërbejë si një platformë për reflektim për obligimet pozitive të Republikës së Kosovës, në kuadër të barazisë gjinore dhe parandalimit dhe luftimit efektiv të dhunës me bazë gjinore”.

“Diskutimi i hapur është mundësi e identifikimit të të arriturave, sfidave dhe zgjidhjeve. Gjithashtu, moment reflektimi për histori të trishta të grave kosovare që i janë nënshtruar dhunës së vazhdueshme në familje, përfshirë dështimit të autoriteteve shtetërore për të mbrojtur të drejtën e tyre në jetë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës ngërthen vlerat dhe standardet më të larta në kontekst të të drejtave dhe lirive themelore, përfshirë barazinë gjinore. Jetësimi i tyre efektiv në praktikë është i mundur vetëm përmes përkushtimit të palëkundur për bashkëpunim e dialog dhe përmes avancimit të vazhdueshëm të mekanizmave që mundësojnë zbatimin e plotë të detyrimeve që burojnë nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventa e Stambollit”, tha ajo.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy