Sulmi në Banjskë, Escobar: Mendojmë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative me shtetin serb

by Nexhat

Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po hetojnë lidhjet e shtetit serb me terroristët në Banjskë, meqë mendojnë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative, raporton Express.

Escobar ka thënë se hetimi për sulmin është bërë me kompetencë nga Policia e Kosovës, duke thënë se rezultatet e hetimit janë shumë afër me informacionet e tyre.

Ai ka shtuar se nga Serbia s’po kërkojnë hetim për atë çfarë ndodhi më 24 shtator, por përgjegjësi.

“Ne mendojmë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative, por ne po e hetojmë atë plotësisht. Por, për sa i përket krimit që është kryer, mendoj se hetimi është bërë me kompetencë nga Policia e Kosovës. Nuk kishim nevojë të bënim një hetim. Ne kishim inteligjencë dhe rezultatet e hetimit janë shumë afër me atë që kemi kuptuar. Pra, ne nuk po i kërkojmë Serbisë një hetim lidhur me atë që ka ndodhur më 24 shtator. Ne po kërkojmë përgjegjësi”, ka deklaruar Escobar në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

I pyetur se a do të marrë ShBA’ja masa ndaj Serbisë nëse konfirmohet se ka qenë mbrapa këtij sulmi, ai ka thënë se s’mund të komentojë për këtë aktualisht.

Lidhur me Milan Radojiçiqin i cili e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, Escobar ka thënë se ai duhet të arrestohet dhe duhet të ngarkohet për krimet.

“Nuk e di për Kosovën, por hetimet janë duke vazhduar, janë duke vazhduar me kompetencë. Në Serbi ne kemi thënë që ai duhet të arrestohet dhe duhet të ngarkohet për krimet, për të cilat mund të ngarkohet në Serbi. E di që ekziston edhe një fletarrestim i INTERPOL-it për të”, ka thënë Escobar.

Ndërkohë, i pyetur se a do t’i bëjë presion SHBA-ja Serbisë për ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë, në mënyrë që ai të përballet me drejtësinë në Kosovë, Escobar është përgjigjur se “është shumë herët, por mund t’ju them se ajo që po e themi publikisht për Radoiçiqin dhe nevojën për llogaridhënie, jemi duke e thënë edhe privatisht.”

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy