Pjesëmarrja e Bislimit në takimin e Brukselit, PDK: Çështja e dinarit është vetëm një segment i vogël i kësaj adoleshence politike

by Nexhat

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se të martën në Bruksel do të mbahet takimi në nivel kryenegociatorësh, ku pjesë e diskutimeve do të jetë edhe çështja e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, ku ndalon qarkullimin e dinarit.

Pjesëmarrjen në takim e ka konfirmuar edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi

banner

Por, diskutimi i rregullores së BQK-së, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, po kundërshtohet nga partitë opozitare në vend.

Faton Abdullahu nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se partia e cila tashmë është në pushtet, deri dje kanë gjykuar ata që kanë biseduar me Vuçiqin.

“Asgjë e re nga kjo mendësi politike, popullizëm gjithandej, taktizime me simbolika patetike e regresive, pa strategji largpamëse progresive. Kjo mendësi dje opozitare, ka hedh gur e dru, ka vërë zjarr dhe shpall tradhtarë të gjithë ata që janë gjykuar të ulen e të bisedojnë me Vuçiqin”, është shprehur Abdullahu

Ai deklaroi se çështja e dinarit është vetëm një segment i vogël, siç e quajti ai “adoleshencë neverike politike”.

“Sot të njëjtit, tash në pushtet me kollare, jo vetëm që ulen me Vuçiqin, por flasin për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë e nuk flasin për njohjen e Kosovës shtet. Çështja e dinarit është vetëm një segment i vogël i kësaj adoleshence nevrike politike, e cila në mungesë të maturimit politik na ka degraduar deri aty sa tash sa kohë jemi nën sanksione nga ata me të cilët kemi bërë rrugëtimin më të suksesshëm në historinë tonë”, pohoi ai.

Abdullahu theksoi se zgjedhjet janë zgjidhja, duke shtuar “Sa më parë aq më mirë për të gjithë e sidomos për kualitetin e jetës së qytetarëve e cili po degradon pandalshëm dhe gjithanshëm”

Ndryshe, për dinarin është zhvilluar edhe më herët një takim në Bruksel. Në takim kishin marrë pjesë ekspertë financiare të Kosovës dhe Serbisë, takimi ishte mbajtur nën ndërmjetësimin e emisarit evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Gjatë këtij takimi, delegacioni i BQK-së ka informuar dhe paraqitur argumentet lidhur me Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme.

Sot për këtë temë u deklarua edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila tha se ka pajtueshmëri për një pjesë të propozimit të emisarit amerikan Gabriel Escobar për dinarin.

Gjithashtu, ajo theksoi që shpreson që në Bruksel të arrihet pajtueshmëri për këtë çështje.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy