Departamenti Amerikan i Shtetit e ka shpallur ‘non grata’ ish-kryetarin e Kaçanikut, Xhabir Zharkun, si dhe dy zyrtarë nga Maqedonia e Veriut: ish-kryeoprokuroren speciale Katica Janeva dhe Stevco Jakimovskin, një kandidat për president në Shkup.
Ata u përfshin në ‘listë të zezë’ “për shkak të përfshirjes në korrupsion të konsiderueshëm”, njoftoi DASH në një deklaratë zyrtare, .
Për Zharkun, DASH thotë se ishte përfshirë në akte korruptive dhe e kishte përdorur pozitën e tij për ndikime e përfitime të ndryshme”.
“Në cilësinë e tij zyrtare si kryetar i komunës së Kaçanikut, Kosovë, Zharku ishte i përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e pozitës së tij për të ndërhyrë në proceset e prokurimit për të lejuar në mënyrë të paligjshme ndërtimin në pronën në pronësi të komunës, për të përfituar vetë dhe bashkëpunëtorët e tij”, thuhet në njoftim
Në cilësinë e saj zyrtare si ish-kryeprokurore speciale e Maqedonisë së Veriut, DASH thotë se Janeva “ishte e përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e ndikimit të saj politik dhe pushtetit zyrtar për përfitime personale”.
“Ka informacione të besueshme që Janeva ka kërkuar dhe ka pranuar ryshfet për të ndikuar në një prokurori nën kompetencën e saj”, thuhet në njoftim.
Ndërsa Jakimovski, siç njofton DASH, “ishte përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e pozitës së tij zyrtare për të ndërhyrë në zhvillimin urban dhe proceset e prokurimit për të përfituar për vetë dhe bashkëpunëtorët e tij”.
DASH thotë se kjo riafirmon përkushtimin e SHBA-së për mbështetjen e sundimit të ligjit dhe forcimin e institucioneve demokratike në të gjithë Ballkanin.
“Departamenti do të vazhdojë të përdorë të gjitha autoritetet në dispozicion për të promovuar llogaridhënien për aktorët e korruptuar në rajon dhe globalisht”, thuhet në deklaratë.
Në këtë vendim, Departamenti amerikan i Shtetit i ka përfshirë si ‘non grata’ edhe anëtarët e familjes së ngushtë të Zharkut, Janevës dhe Jakimovskit. Atyre të gjithëve u ndalohet hyrja në SHBA.