Ish-drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) Aleksandar Vulin, i sanskionuar nga Amerika thotë se serbët kanë vlerësim të madh për presidentin rus Vladimir Putn.
Ai foli në emër të të gjithë serbëve dhe Serbisë, në një intervistë për revistën ruse “Nacionalna Odbrana”
Sipas Vulin-it, qytetarët e Serbisë e shohin presidentin rus Vladimir Putin si liderin më të respektuar të huaj dhe Serbia ka respekt për qëndrimet e Rusisë karshi Kosovës.
“Nga të gjithë pushtetarët e huaj, serbët e mbështesin më së shumti presidentin rus Vladimir Putin. Atyre u pëlqen guximi dhe këmbëngulja e tij dhe veçanërisht vlerësojnë faktin që ai nuk heq dorë nga vlerat tradicionale si Zoti, kombi dhe familja”, tha Vulin, themelues i Lëvizjes Socialiste dhe ish-ministër i Mbrojtjes i Serbisë.
Ai deklaroi se serbët e mbajnë mend se si në vitin 2015, me iniciativën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Putin vuri veton ndaj projekt-rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së në të cilën “serbët shpallen si populli i parë në histori që janë fajtorë për gjenocid”, transmeton Oslobodenje
“Serbia gjithashtu vlerëson qëndrimin e vendosur të Rusisë në lidhje me Kosovën, si dhe bashkëpunimin tonë ekonomik”, shtoi Vulin.
TASS kujton se më 8 korrik 2015, Rusia vuri veton ndaj rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së në lidhje me “ngjarjet në Srebrenicë në 1995”.
Ambasadori rus në OKB në atë kohë, Vitaly Çurkin, paralajmëroi se propozimi i rezolutës nuk duhet të vihet në votim, pasi “mund të përkeqësojë situatën në BiH dhe në rajon”.