Këshilli i Ministrave të Shqipërisë vendosi të zgjasë deri në 31 dhjetor 2027, pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në operacionin ushtarak ndërkombëtar KFOR në Kosovë.
Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi disa ndryshime në vendimin “Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak ndërkombëtar KFOR në Kosovë”.
Konkretisht, u vendos kohëzgjatja e këtij misioni nga 31 dhjetor 2024 në 31 dhjetor 2027.
Gjithashtu në vendim ndryshon edhe dieta për ditët e qëndrimit, pasi nga 6 000 lekë në ditë shkon në 12 mijë lekë në ditë, përveç pagës mujore.
Vendimi parashikon se periudha e qëndrimit në mision për çdo përfaqësues do të jetë me sistem rotacioni çdo 6 muaj dhe 1 vit për postin ACOS SPT, periudha, të cilave u shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me kontingjentin e radhës (marrje dhe dorëzim detyre, vonesa të transportit strategjik).
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.