Visar Korenica nuk është i vetmi deputet nga Lëvizja Vetëvendosje që dyshon se në seancën plenare të mbajtur më 07.03.2024, në Kuvendin e Kosovës nuk ka pasur kuorum për ta votuar Projektligjin për tekstet shkollore.
Ndonëse ky projektligj është shpallur si i miratuar në parim, është edhe Eman Rrahmani që e ndan të njëjtën bindje me të se atë ditë në sallë nuk kanë qenë 62 deputetë por vetëm 60, dhe rrjedhimisht projektligji nuk ka kaluar.
Por, Korenica e Rrahmani, e njëjtë si ta edhe Gramos Agusholli nuk kanë problem me projektligjin. Të tre e thonë haptas se nuk i votojnë projektligjet që sponsorohen nga Ministria e Arsimit, pa u plotësuar një kërkesë e tyre. Prej ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, ata kërkojnë që ta shfuqizojë Udhëzimin Administrativ që e ndalon mbajtjen e uniformës fetare në shkolla, e që në publik më tepër interpretohet si bartje e mbulesës apo e shamisë. Të indinjuar që ajo nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta ndryshuar këtë udhëzim tash e tri vjet, ata kanë vendosur ta kushtëzojnë jo vetëm votimin e Projektligjit për tekste shkollore por edhe cilitdo projektligj tjetër që përgatitet nga MASHTI
Thonë se të njëjtin qëndrim me ta e kanë edhe disa deputetë të tjerë brenda Lëvizjes Vetëvendosje, por nuk parapëlqejnë të tregojnë se cilët janë ata. Për ta është e habitshme që një udhëzim i tillë nuk është ndryshuar deri më tani kur kundër nenit që e ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla ka qenë edhe vet Albin Kurti gjatë kohës sa ka qenë në opozitë.
“Nuk jemi kundër përmbajtjes dhe neneve të projektligjit, por kemi kërkuar në një farë forme si kusht që me u largu udhëzimi që është i paligjshëm edhe vazhdon akoma të jetë në fuqi”- thotë Korenica për KALLXO.com.
Ai bën të ditur se menjëherë pas seancës në të cilën u votua Projektligji për tekste shkollore, janë paraqitur te administrata e Kuvendit me kërkesën që t’i verifikojnë votat, dhe se ende janë në pritje të përgjigjes
“Qëndrimi jonë është publik që nuk marrim pjesë në asnjë ligj përderisa nuk tërhiqet apo rregullohet çështja e Udhëzimit Administrativ”, shprehet Korenica.
Për shkak të problemeve me sistemin elektronik të votimit në Kuvend, numërimet e votave qe një kohë të gjatë bëhen në formë manuale.
Portali ka pritur rreth një javë që të marrë përgjigje nga Kuvendi i Kosovës nëse kanë arritur t’i verifikojnë votat, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë asnjë shpjegim.
Refuzimi për t’i votuar projektligjet që sponsorohen nga MASHTI
Deputeti Eman Rrahmani përkujton se qysh para gati shtatë muajsh ka deklaruar që nuk i voton projektligjet e Ministrisë së Arsimit, ashtu siç nuk e ka votuar edhe projektligjin për tekste shkollore
“Kam deklaruar publikisht në Kuvend që derisa të shfuqizohet Udhëzimi Administrativ asnjë ligj që vjen prej ministres Nagavci nuk e mbështes”, thotë ai, duke këmbëngulur që Projektligji atë ditë nuk ka kaluar.
Sa i përket Projektligjit për tekste shkollore, qëndrim të njëjtë me Korenicën e Rrahmani ka dhe deputeti tjetër i LVV-së, Gramos Agusholli.
“Jam i të njëjtit mendim. As unë nuk e kam votuar projektligjin e fundit për tekste shkollore. Kemi kërkuar prej saj (ministres Nagavci v.j) qe një kohë ta shfuqizojë Udhëzimin, por përderisa ajo nuk ka reflektuar qe tri vjet, jemi detyruar me marrë masa të tilla”, thotë Agusholli.
Edhe deputetja Labinotë Demi- Murtezi, që po ashtu është pjesë e LVV-së, ishte pozicionuar kundër nenit të Udhëzimit Administrativ që e ndalon bartjen e shamisë në shkolla, por Kallxo.com nuk ka arritur të marrë një përgjigje prej saj nëse edhe as ajo nuk e ka votuar Projektligjin për tekste shkollore
Qëndrimet rreth udhëzimit që e ndalon uniformen fetare në shkolla
Diskutimet rreth çështjes së ndalimit të bartjes së shamisë në shkolla janë hapur qysh para një dekade, përkatësisht nga viti 2014, kur edhe ka hyrë në fuqi Udhëzim Administrativ (UA), në të cilin përcaktohen gjërat e ndaluara në mjediset e shkollave.
Ndalimi i bartjes së uniformës fetare është përcaktuar me nenin 3, paragrafi 1.13 të këtij UA.
Me Kushtetutë Kosova është shtet laik.
Megjithatë, udhëheqësit e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) i kanë bërë thirrje në vazhdimësi Ministrisë së Arsimit për ndryshimin e udhëzimit administrativ, që sipas tyre po u shkakton vështirësi në shkollim vajzave që duan të përdorin shami.
Ata kërkojnë që kjo çështje të zgjidhet në rrugë institucionale, duke bërë thirrje për miratimin e Ligjit për liritë e besimit, që sipas bindjeve të tyre, që do të zgjidhte edhe shumë shqetësime të bashkësive fetare në Kosovë
Përmes një kërkese Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka thënë se kjo gjë është kërkesë e kamotshme e Kryesisë së BIK-ut, institucioneve të saj dhe besimtarëve myslimanë që të hiqet e tëra pika 1.13 e nenin 3, në Udhëzimin Administrativ 06/2014.
Një peticion online i nisur në fillim të muajit gusht 2022, përmes të cilit kërkohej ndryshimi i Udhëzimit administrativ që nuk lejon uniformat fetare në shkolla.
Ministrja Arbërie Nagavci kishte thënë se është duke u rishikuar udhëzimi administrativ në tërësi, por mohoi se do të ketë diskutime për shaminë.
“Është e vërtetë që ky udhëzim ka disa çështje ligjore sepse preambula të cilës i referohet nuk ka të bëjë specifikisht me kompetencat e MASHTI-t, por rekomandimet janë dhënë që ai udhëzim të mbetet në fuqi. Udhëzimi do mbetet në fuqi dhe do shohim si e rregullojmë tutje në aspektin formal ligjor”, kishte thënë Nagavci në vitin 2022
Në po të njëjtin vit nga Ministria e Arsimit kishin thënë për KALLXO.com se bartja e uniformës fetare nëpër shkolla është e ndaluar pasi që shteti i Kosovës është sekular.
“Neni 3, paragrafi 1.13 i Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014 ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla, kjo sepse shkolla jonë është sekulare. Krahas shtetit sekular, e drejta për shkollim nuk mund t’i mohohet askujt, nga askush”, thuhej në përgjigjen e MASHTI.
Portali ka insistuar të marrë sërish një qëndrim prej ministres Nagavci, pas kushtëzimit që po i bëjnë deputetët brenda Vetëvendosjes, por ajo nuk është përgjigjur
Pas nisjes së fushatës për lejimin e shamive në shkolla në vitin 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte thënë nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve tjera fetare në jetën publike të qytetarëve nga mosha 16 vjeçare
“Nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve tjera fetare në jetën publike të qytetarëve, duhet të jenë të lirë, por gjithashtu kam thënë se mosha 16 vjeç është pragu. Moshën 16 vjeç ne e shohim si prag për shumë gjëra”, kishte thënë Kurti.
E derisa Udhëzimi të jetë i pandryshueshëm, kushtëzimet brenda grupit të deputetëve të Vetëvendosjes nuk pritet të ndalen. Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, ndërkaq do të vazhdoj të përballet edhe me kushtëzimet nga një pjesë e opozitës për mosvotim të marrëveshjeve ndërkombëtare