Azem Vllasi, avokati i njohur në Kosovë, ish-lider komunist në periudhën e trazirave më të mëdha në territorin e ish-Jugosllavisë u kthye ta kujtojë periudhën e fundit të luftës në Kosovë.
Ai tha se me nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë, nuk do të pësonin as shqiptarët as serbët dhe se Kosova mund të ishte pavarësuar.
“As shqiptarët dhe as serbët nuk do të kishin pësuar, sipas Rambujesë, Kosova mund të ishte e pavarur. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë do të ishin më të mira. Millosheviqi la pas pasoja nga të cilat Serbia nuk po e merr kurrsesi”, tha Vllasi në një intervistë për gazetën Danas në Beograd.
Me iniciativë të Grupit të Kontaktit, të udhëhequr nga Christopher Hill nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Boris Mayorski nga Rusia dhe Wolfgang Petrich nga Bashkimi Europian kishin nisur negociatat për marrëveshjen që Vllasi tha se e dinte që Beogradi nuk do ta pranonte
“Në atë rast ishte e qartë se vendet e Quintit, si ndërmjetës, nuk do ta toleronin më Millosheviqin, që ishte një shans për pavarësinë e Kosovës si zgjidhja e vetme e mundshme”, tha Vllasi.
Vllasi tha se shqiptarët kishin ofruar “rezistencë paqësore dhe jo të dhunshme”.
Ai thotë se bota u lodh nga ajo që ndodhi në Bosnjë dhe Kroaci më herët.
“Prandaj ndërmjetësit ofruan tekstin e propozimit për zgjidhje dhe palëve iu kërkua ta merrnin ose ta linin atë. Përveç kësaj, shqiptarëve u është thënë që nëse nuk pranojnë, të shohin vetë se çfarë do të ndodhë me Serbinë, ndërsa serbëve u është thënë se do të ketë ndërhyrje ushtarake nëse refuzojnë”, tha Vllasi.
Pas 17 ditë negociatash, delegacioni serb refuzoi nënshkrimin e marrëveshjes dhe më 24 mars 1999 nisën bombardimet e NATO-s mbi Serbinë
Vllasi thotë se Sllobodan Millosheviqi besonte se nëse do të kishte bombardim, operacioni për dëbimin e shqiptarëve do të përshpejtohej. Ai sipas avokatit llogariste se bombardimet nuk do të zgjasnin shumë dhe se për Serbinë s’do të kishte pasoja të mëdha