Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti duke u bazuar në raportin e organizatës Transparency International ka treguar se, si qeveri, kanë arritur të renditen më lartë për 21 vende sa i përket luftimit të korrupsionit.
“Ka më shumë sundim të ligjit. Korrupsioni po luftohet. Në indeksin e Transparency International mbi Perceptimin e Korrupsionit jemi përmirësuar për 21 vende në tri vjet dhe qëndrojmë në renditjen më të lartë ndonjëherë. Eliminimi i tij varet nga prokuroria dhe gjyqësori”, ka shkruar kryeministri i vendit Albin Kurti në një shkrim të tij në rrjetin social Facebook.
Kurti ka shtuar se mbi 2.4 ton substanca narkotike janë konfiskuar nga Policia e Kosovës. Afër 37 milionë euro mall dhe asete të sekuestruara dhe konfiskuara nga operacionet e Doganës së Kosovës. Numri i inspektimeve nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut është rritur për rreth 63% në krahasim me vitin 2019 – shifër kjo rekord e inspektimeve. Paraja publike shpenzohet me përgjegjësi dhe ruhet e mbrohet gjithashtu. Mbi 145 milionë euro i janë kursyer buxhetit të Kosovës nga tri procese të fituara në arbitrazhin ndërkombëtar.
“Në veri të vendit është ulur ilegaliteti, e po shtohet ligjshmëria dhe siguria. Janë mbyllur 27 rrugë ilegale, dhe janë shkatërruar 9 laboratore droge, 6 të kriptovalutave dhe 4 depo të armatimit. Janë sekuestruar alarme e kamera të strukturave ilegale, dhe armatim e asete në vlerë rreth 15 milionë euro nga hetimet mbi sulmin terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit, ku humbëm rreshterin shembullor Afrim Bunjaku por fituam një Hero të Kosovës dhe dolëm fitues e faqebardhë. Atje tash janë ngritur 9 stacione policore për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit, e nuk kishte asnjë deri në vitin 2021”, ka shkruar Kurti mes tjerash.