Gjatë dëshmisë së tij në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ish-diplomati amerikan Shaun Byrnes tha se operacioni ‘Patkoi’ ishte i nënshkruar nga Sllobodan Millosheviqi dhe parashikonte që përmes forcës ushtarake të dëbohej popullsia shqiptare nga Kosova.
Ai tha se këtë operacion e kishte kuptuar përmes ambasadorit Hill, e që dokumenti iu ishte dërguar nga Shërbimi i Inteligjencës Austriake.
“Në një prej vizitave të mia në Ambasadë në Shkup, ambasadori Hill me kërkoi që të lejoja një dokument inteligjence që ishte marrë kohët e fundit dhe kjo rezultoi që të ishte një përkthim i një dokumenti që ai tha që na e kishte kaluar neve Shërbimi Inteligjent i Austrisë. Bëhej fjalë për një dokument ku shtjellohej një plan i Beogradit, ishte një plan që kishte marrë nënshkrimin e Millosheviqit që në një mënyrë të tillë të përdorej forca e sigurisë së Serbisë duke përfshirë edhe ushtrinë që të bënte apo të nxirrte nga vendi një përqindje të konsiderueshme të popullsisë shqiptare në Kosovë dhe t’i dëbonin ata apo t’i largonin kryesisht drejtë Shqipërisë”, tha ai.
Në një dëshmi që kishte dhënë dëshmitari, ai kishte thënë se ekipet me GDOM-it amerikan kishte parë pamje që paramilitarët serbë po digjnin shtëpi në një fshat të Malishevës, raporton rtv21
Po ashtu, Byrnes pohoi se një gjë të tillë e kishte parë edhe në fshatrat e tjera.
Ai theksoi se kishin parë shqiptarë që dëboheshin nga fshatrat, që dërgoheshin jashtë kufijve, digjeshin kafshë, e të tjera. Sipas tij, kjo gjë kishte ndodhur gjatë kohës së vjeshtës.
Dëshmitarit iu prezantua edhe një video e Hashim Thaçit e 17 korrikut 1999, në të cilën bënte thirrje për tolerancë dhe shmangie të dhunës ndaj popullsisë minoritare.
Ai dëgjohej duke thënë se nuk do të lejonte anarki dhe se do t’i respektojnë rregullat e rendit demokratik.
Ndërsa, dëshmitari tha se nuk e ka dëgjuar këtë fjalim ndonjëherë, mirëpo kishte dëgjuar që Thaçi kishte bërë thirrje që t’i jepej fund dhunës.
Me kërkesën e avokatit Mishetiq, u pranua si provë kjo video së bashku me dy harta zonale që iu prezantuan këtij dëshmitari gjatë marrjes së dëshmisë së tij