Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz.
Në takim u diskutua për bashkëpunimin midis Kosovës dhe Francës, zhvillimet e fundit si dhe anëtarësimin e Kosovës në institucionet euroatlantike, ka njoftuar zyra e presidencës.
Gjatë takimit Osmani përshëndeti hapjen e Institutit francez në Prishtinë, duke theksuar rëndësinë vitale të këtij instituti në forcimin e lidhjeve midis dy vendeve, përmes promovimit të vlerave të përbashkëta dhe thellimit të mirëkuptimit të ndërsjellë nëpërmjet gjuhës dhe kulturës.
Më tej, u diskutua për zhvillimet në fushën e sigurisë, ku Presidentja shprehu përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të vazhdueshëm me Francën.
Presidentja Osmani dhe Troccaz biseduan edhe për përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në institucionet euroatlantike, ku theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Francës.