Nesër në Paris pritet të mblidhet Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Për mbledhjen është deklaruar edhe Kryediplomatja e Kosovës Donika Gërvalla nga Nju Jorku. Ajo ka thënë se nëse nesër ka kuorum, pra deputetë të mjaftueshëm, raporti i raportueses Dora Bakoyannis do të miratohet. Çështja e kuorumit është ngritur për shkak të mundësisë që deputetët të mos udhëtojnë në Paris për shkak të festës së Pashkëve.
“Ne mendojmë se nëse nesër krijohet kuorumi i nevojshëm për trajtimin e kërkesës për Kosovën, atëherë mendojmë që një kërkesë e tillë, pra raporti do të mund të miratohet” ka thënë Gërvalla.
Nëse nesër raporti aprovohet, cështja e anëtarësimit të Kosovës në KiE kalon në Asamblenë Parlamentare, pastaj fjalën e vet në maj do ta thotë Komiteti i Ministrave.
“Dhe më lejoni të konstatoj sot se rrallë ndonjëherë në historinë e anëtarësimeve pas vitit 1990 në Këshillin e Evropës ndonjë shtet ka qenë kaq i përgatitur për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Kemi vepruar së bashku me të gjithë mekanizmat e Këshillit të Evropës, raporti është pozitiv, të gjitha detyrat e shtëpisë janë bërë, prandaj presim që gjatë marsit, gjatë prillit por edhe gjatë majit të kemi lëvizje në këtë drejtim”, ka thënë Gërvalla.