Lëvizja Vetëvendosje është optimiste që Kushtetuesja do të mundësojë Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Deputeti Adnan Rrustemi konsideron se është e pashembullt kohëzgjatja prej kur kjo gjykatë po merret me vlerësimin e kushtetueshmërisë së këtij ligji. Sipas tij, vonesat në shqyrtimin e projektligjeve kanë impakt të drejtpërdrejt në qeverisjen.
Në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese nuk janë dhënë detaje se kur pritet vendimi, veçse thuhet se kjo lëndë është duke u shqyrtuar.
“Kjo lëndë është duke u shqyrtuar. Sapo të merret vendimi, për këtë do të njoftohen me kohë të gjitha palët e përfshira në rast dhe opinioni”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Komunikim dhe Informim të Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese duhet të trajtojë brenda dy muajve një projektligj, kështu thotë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi
“Pritshmëritë ligjore janë që gjykata të trajtojë brenda dy muajve një projektligj, është e pashembullt dhe është impakt i drejtpërdrejt edhe në vet qeverisjen tonë vonesat në shqyrtimin e projektligjeve që po dërgohen në Gjykatë Kushtetuese. Opozita e ka shfrytëzuar këtë mekanizmin e dërgimit në Gjykatë Kushtetuese të shumë prej reformave tona më të rëndësishme, në njërën anë për t’i vonuar ato, e në anën tjetër edhe të motivuar nga interesat personale.
Ata duan që të mbrojnë interesat e tyre në kuptimin e justifikimit të pasurisë së paligjshme, përmes pamundësimit të themelimit të kësaj byroje dhe të zbatimit të këtij ligji. Por ne jemi të bindur që themelimi i Byrosë dhe verifikimi i pasurisë dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme nuk ka alternativë, pavarësisht vonesave që po krijon procedimi dhe trajtimi nga Gjykata Kushtetuese”, shton deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi deklaron se janë adresuar tri rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe se po presin që Kushtetuesja të mundësojë zbatimin e këtij ligji.
“Byroja për Verifikim dhe Konfiskim të Pasurisë të Pajustifikueshme ka qenë një nga politikat më të rëndësishme të kësaj mazhorancë. Në kuptimin për t’i dhënë përgjigje një fenomeni që ka gërryer interesin publik dhe pasurinë publike, ku zyrtarët publik e kanë shfrytëzuar pozitën për të shtuar pasurinë e tyre në mënyrë të pajustifikueshme. Është për të ardhur keq që ky ligj për më shumë se një vit është miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe kemi tre opinione të Venecias që janë adresuar të gjitha rekomandimet dhe që po ua pamundësohet jetësimi i zbatimit të këtij ligji dhe themelimi i Byrosë. Ne po presim aktgjykimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetutës që sa më parë të fillojë zbatimi”, deklaron ai
Edhe avokati Ardian Bajraktari konsideron se kohëve të fundit ka numër të madh të nismave legjislative, të cilat po adresohen në Gjykatë Kushtetuese.
“Ligji për Byronë ka më tepër se një vit që është në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese dhe dua të besoj që sa më parë që është e mundur ta jep verdiktin e saj, sepse është një kohë relativisht e gjatë. Sa i përket ligjit në përmbajtje, i njëjti mes dy leximeve në Kuvendin e Kosovës është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe, jashtëzakonisht intensive me prezencën edhe të ekspertëve. Udhërrëfyesi i asaj pune ka qenë opinioni i Komisionit të Venecias dhe dua të besoj që në masë të konsiderueshme janë inkorporuar të gjitha vërejtjet që ka pasur nga ana e Komisionit të Venecias.Besoj që verdikti i Gjykatës Kushtetuese do të jetë në linjë me këtë, me ndonjë nuancë të vogël eventualisht që mund të vije prej Gjykatës Kushtetuese”, deklaron Bajraktari për kp.
Miratimi i këtij ligji mundëson krijimin e mekanizmit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Verifikimi i pasurisë do të bëhet për të gjithë ata zyrtarë që ekzistojnë dyshimet se kanë fituar pasurinë kundërligjshëm.
Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është miratuar në shkurt të vitit të kaluar, ku ka marrë përkrahjen e 66 deputetëve. Më pas, Partia Demokratike e Kosovës e ka dërguar në Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë.