Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimet përfundimtare për shpronësimin e pronave për realizimin e Autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë,
Për këtë ka njoftuar edhe Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
“Në mbledhjen e 198-të të Qeverisë miratuam vendimet përfundimtare për shpronësimin e pronave për realizimin e Projektit: Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, Segmenti Banullë, Komuna e Gjilanit, për të vazhduar më tej me ndërtimin e autostradës së Gjilanit, nga Bresalci deri tek kalimi kufitar në Dheun e Bardhë”, ka shkruar Aliu.
Lidhur me këtë projekt, Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar të premten se po shkon drejt përfundimit.
Ka thënë se janë të vendosur që puna të përfundojë me cilësinë e duhur dhe sa më parë.
“Autostrada Prishtinë-Gjilan po shkon drejt përfundimit. Mbi 75% të punimeve deri në fshatin Bresalc janë finalizuar. Është ndarë buxheti për vazhdimin e saj deri te Dheu i Bardhë. Jemi të vetëdijshëm për vonesat, por edhe jemi të vendosur që puna të ecë e të përfundojë me cilësinë e duhur dhe sa më pare”, ka shkruar Kurti në Facebook.