Kryministri i Kosovës, z.Albin Kurti ka bërë homazhe sot pranë lapidarit të martirëve të lirisë të cilët janë vrarë në vitin 1999 në Kralan të Gjakovës dhe trupat e tyre janë zhdukur për t’u gjetur më vonë në varreza masive.
Në profilin zyrtar në rrjete sociale, Kryministri ka shkruar se në Kralan, më 2 prill 1999 forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, grumbulluan në një fushë qindra burra dhe djem shqiptarë, dhe i rrethuan me tanke. Aty i mbajtën nën tortura të vazhdueshme, pa ujë dhe ushqim për dy ditë. Më 4 prill, nga ta i ndaluan 86 burra dhe djem, ndër të cilët 11 ishin të mitur. Që nga ajo ditë, askush nga ta më nuk është parë i gjallë. 18 prej të vrarëve janë gjetur në afërsi të liqenit Peruqac në Bajina Bashta të Serbisë. Pasi i zhvarrosi kufomat e i rrëmbeu ato, Serbia u përpoq që t’i zhdukë, bashkë me dëshmitë e krimeve.
Në përvjetorin e 25-të, bëmë homazhe te varrezat e dëshmorëve dhe vendosëm lule te lapidari në kujtim të 88 shqiptarëve të vrarë. Ishim bashkë me ministra, zëvendësministra e deputetë, që të theksojmë nderimin dhe obligimin tonë ndaj dëshmorëve dhe martirëve të kombit, ka shkruar kryministri Kurti.