Aleanca Veri-Atlantike NATO, është aleanca më e suksesshme politiko-ushtarake në botë.
NATO së fundmi ka realizuar një dokumentar rreth misionit të saj gjatë 75 viteve të ekzistencës.
Në këtë dokumentar thuhet se Aleanca ka arritur të përballojë sfidat, të zgjerojë rolet dhe misionin e saj.
Nga dita e themelimit në 1949 deri në përforcimin e Evropës Lindore në 2022, ky dokumentar eksploron momentet që përcaktojnë Organizatën sot përmes syve dhe përvojave personale të njerëzve që kanë parë këto momente kryesore
Dokumentari përfshinë disa nga momentet kyçe të intervenimit të NATO-s, duke filluar me Luftën e Ftohtë kur Aleanca Veri-Atlantike pengoi me sukses Bashkimin Sovjetik nga agresioni kundër Evropës Perëndimore.
Tutje përmendet sesi në vitet 1990, NATO ndihmoi për t’i dhënë fund konflikteve etnike në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu edhe luftën në Kosovë, shkruan Telegrafi.
“Presidenti i Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, urdhëroi një goditje brutale ndaj shqiptarëve në Kosovë”, është fraza me të cilën në këtë dokumentar nis shpjegimi për luftën në Kosovë dhe ndërhyrjen e NATO-s.
Në dokumentar përfshihet edhe deklarata e Javier Solana që në atë periudhë ishte Sekretar Gjeneral i NATO-s.
“Ne duhet të ndalojmë dhunën dhe ti japim fund një katastrofe humanitare që po ndodh tani në Kosovë”, thotë Solana.
NATO lansoj një fushatë ajrore në vitin 1999 për të ndalur krizën humanitare që po ndodhte në Kosovë.
“Intervenimi i NATO-s i dha fund konfliktit”, thuhet në dokumentarin e NATO-s ku flitet për luftën në Kosovë.
Në vitin 2024, NATO është më e madhe dhe më e fuqishme – politikisht dhe ushtarakisht, se sa ishte në vitin 1949. Megjithatë, pavarësisht gjithçkaje që ka ndryshuar, ajo mbetet e përkushtuar ndaj qëllimit të saj thelbësor të mbrojtjes kolektive.