Pep Guardiola e ka mbrojtur futbollistin e tij, Erling Haaland, i cili ka përfunduar në qendër të kritikave kohëve të fundit.
Sulmuesi norvegjez ka dështuar të shënojë siç ishim mësuar, prandaj edhe kritikët i janë vërsulur atij.
Sidoqoftë, trajneri i Manchester Cityt i ka dalë në krahë ish-futbollistit të Salzburgut dhe të Borussia Dortmundit, duke insistuar se mungesa e golave të “Citizens” s’është faj i përfaqësuesit norvegjez,
“Arsyeja se përse nuk krijuam raste të mjaftueshme ndaj Arsenalit nuk është Erling. Ne duhet të kemi më shumë prezencë në fazën finale të sulmit, me më shumë lojtarë. Ne e bëmë një lojë të mirë, por nuk patëm njerëz në treshen finale. Mirëpo, Haaland është i jashtëzakonshëm”, deklaroi fillimisht trajneri spanjoll në konferencë për shtyp.
Ai iu përgjigj edhe ish-futbollistit Roy Keane, i cili dje tha se Haaland ishte një lojtar i “League Two”, respektivisht niveli i katërt i futbollit anglez.
“Nuk pajtohem me të, absolutisht jo. Ai është sulmuesi më i mirë në botë dhe na ka ndihmuar në ato që i fituam sezonin e kaluar. Ai është i hatashëm”, shtoi Pep.
“Jam i befasuar kur këto kritika vijnë nga ish-lojtarët. Gazetarët i kuptoj, por ish-futbollistët… jam i befasuar!”, nënvizoi ai.
“Është sikur ish-gjyqtarët t’i kritikojnë gjyqtarët. Memoria zhduket shpejt”, tha ai tutje.
Ish-trajneri i Barcelonës e Bayern Munichut foli edhe për Kyle Walker, prezenca e së cilit kundër Real Madridit në Ligën e Kampionëve është vënë në dyshim shkaku i lëndimit.
Sidoqoftë, Guardiola thotë se mbrojtësit të djathtë anglez nuk i dihet kurrë dhe e paralajmëroi gjigantin spanjoll se përfaqësuesi anglez mund të jetë prezent në fushë në ndeshjen e parë çerekfinale të Championsit.
“Doktori thotë se Kyle Walker nuk do të jetë i gatshëm për të luajtur kundër Real Madridit në javën e ardhshme. Por, Kyle është Kyle. Ai ka gjenetikë speciale. Doktori thotë se është diçka serioze. Por, Kyle është Kyle”, përfundoi Guardiola