Dy klube të Premier Ligës raportohet se ia kanë bërë të qartë Real Madridit se do të paguanin deri në 200 milionë euro për transferimin e Vinicius Junior.
Liverpooli dhe Chelsea në ditët e fundit kanë shprehur interesim për anësorin brazilian.
Pas raportimeve se Reali pritet të transferojë Kylian Mbappen si lojtar të lirë, kanë nisur spekulimet për Viniciusin.
Sipas gazetës “El Debate”, Liverpooli dhe Chelsea dëshirojnë transferimin e brazilianit dhe do të paguanin deri në 200 milionë euro për shërbimet e tij.
Edhe PSG-ja do të ishte e gatshme të ofronte të njëjtën shumë dhe e sheh si zëvendësues të përkryer të Mbappes.
Mirëpo, besohet se Vinicius nuk dëshiron të largohet nga Reali dhe klubi spanjoll nuk pritet të shqyrtojë ofertat që mund të vijnë për të gjatë verës.