Në një rrëfim ekskluziv dhe në kushte anonimitetit, studentet “Teuta” dhe “Shpresa” – dy vajzat të cilat denoncuan profesorin e Matematikës në Fakultetin e Mjekësisë Xhevat Krasniqi, tregojnë situatat e palakmueshe në të cilat ato u vunë në ligjërata dhe konsultime në Universitetin e Prishtinës.
Studentja “Teuta”, që njëkohësisht është edhe lidere që inicioi ankesën ndaj profesorit, letër të cilën e nënshkruan edhe 26 kolege të saj, tregon se qysh nga tetori i vitit 2022, Krasniqi ka filluar të japë “komente seksuale” ndaj vajzave gjatë ligjëratave dhe ushtrimeve
Ballafaqimi i profesorit me pyetjet e Jeta Xharrës:
“Profesori në fjalë ka fillu duke dhënë komente seksuale gjatë orëve të ligjëratave edhe ushtrimeve. Edhe duke marrë si shembull gjithmonë femrën, ku na është drejtu të gjitha kolegeve që jemi kanë aty ‘Femrën kur e mbulon me jorgan i humb bukuria’, ‘Dallimi mes femrës dhe perdes’. Mandej ka pas raste ku ka thënë “Femrat e Istogut janë më të bukurat”, ku edhe i ka shiku koleget e mia që kanë qenë nga Istogu”- ka deklaruar studentja, e cila zgjodhi të flasë në kushte anonimitetit nën frikën se nëse e shpërfaqë identitetin e saj, do të përballet me më shumë ngacmime
“Shumë mirë po lyhesh”, “Shumë mirë po dukesh”, “Kështu vishu gjithë”, “Mos rri mrrolshëm, se ty të ka hije veç me keshë”, “A pe sheh që si të thash t’u kesh, veç t’u kesh po rri, se ty të ka hije kështu, edhe veç kështu rri t’u qesh se mrrolshëm s’mund po të shoh”- këto janë disa nga komentet të cilat sipas ‘Teutës’, profesori ua jepte vajzave në ligjërata.
Ajo ka treguar përvojën e saj personale, kur pas ushtrimeve gjatë rrugës për në shtëpi, profesori, sipas saj, ia kishte komentuar edhe buzët.
“Po dalim edhe po shkojmë, pas ligjëratave rrugës për shpi, unë bashkë me një kolegen time. Edhe jemi pas lyer dyjat si njëjtë, buzët e kuqe, edhe e kishim pas profesorin mbrapa. Ne nuk e kemi ditë, edhe kur po vjen po ec paralel me neve. Po na përshëndet edhe po thotë ‘Hej ju buzët njëjtë i paskeni lyer a?’ edhe po i drejtohet koleges time po ia bën ‘Lyej ti buzët sa t’duash se buzët si t’kësaj, si të ‘Teutës’ nuk mundesh me i pasë”- shprehet ajo
“S’është në rregull. Edhe në atë moment, kur na i ka komentu buzët tona, aty janë kanë prezentë me thënë 70 për qind e kolegëve tanë edhe e kanë dëgju krejt këtë rast. Edhe ai e pa që ne mbetëm, s’patëm çka me i thënë, tha ‘Nejse se mua më duhet me ec, edhe 30 sekonda më duhet me u kanë te Interex-i;”- vazhdon tregimi i saj.
‘Teuta’, datën 14.02.2023 thotë se nuk e harron kurrë sepse sipas saj, ka qenë dita kur asnjëherë nuk është ndier më keq. Pikënisja e kësaj ditë kishin qenë rezultatet e provimit kur profesori Krasniqi e kishte rrëzuar atë nga provimi për 0.05 pikë.
Në konsutime me gojë, siç thotë studentja, Krasniqi i kishte thënë se është “i drejtë në vlerësim” duke iu drejtuar edhe me fjalët se “kur të duash të bëjë masazhë”, fjalë të cilat i kishte pasuar edhe një demonstrim duke tentuar të përqafojë studenten
“Në ato momente, unë kam mbet kështu, d.m.th krejt trupi m’u ka koqitë edhe veç e kam lanë provimin edhe kam dalë. Prej asaj salle qysh kam dalë, unë ma kurrë s’jam kanë mirë edhe atë ditë veç kam qajt, kam qajt, kam qajt. I kam tregu familjes edhe janë kanë tepër të shqetësuar për këtë rast që mua më ka ndodh. Mandej iu tregova edhe kolegëve kur dola edhe ata ishin tepër të shqetësuar edhe u tutshin se mos ka me kanë viktima e radhës kur të hin në konsultime. Afat për afat, ne jemi tutë që kush ka me kanë viktima e radhës”- rrëfen ‘Teuta’.
‘Teuta’ thotë se një koleg i saj, djalë, ka qenë dëshmitar i këtij rasti, për të cilin ajo thotë se është i gatshëm të dëshmojë
‘Shpresa’, studentja e cila gjithashtu thotë se ka përvojë personale të ngacmimit nga profesori Xhevat Krasniqi, i tha Jeta Xharrës se ka vendosur që rrëfimin e saj ta bëjë në kushte anonimiteti për shkak se siç tha ajo “nuk dua me më dalë probleme për shkak se kam vendosë me kallëzu edhe për shkak të familjes”.
‘Shpresa’ thotë se profesori gjatë ligjëratave iu kishte drejtuar me fjalët “Po dukesh shumë mirë, je veshë shumë mirë, po dukesh shumë zojë, je ly mirë”.
Njëjtë si kolegia e saj ‘Teuta’, ‘Shpresa’ thekson se në konsultime me profesorin lejohej vetëm nga një person. Ajo tregon se cili koment i profesorit ishte fillimi i të gjitha ngjarjeve që do e përcillnin studenten.
“Në afatin e janarit, të vitit të kaluar ka pasë… domethënë kur ju kemi nënshtru provimit me gojë, profesori na ka thënë që me hy në zyrë nga një person edhe atëherë unë i kam thënë se përse për një numër ma ke heq krejt detyrën, bash kështu janë kanë fjalët e mia dhe komenti i profesorit ka qenë që “për një numër me ma dhënë gabim, unë s’mund të thirri”, ky ka qenë fillimi i krejt ngjarjeve”- ka treguar ajo
Shpresa kujton edhe një rast tjetër në afatin e shtatorit, kur Xhevat Krasniqi e kishte pyetur se nëse dëshironte të shkonte një ditë tjetër në konsultime, me kushtin që të mos i tregonte studentëve të tjerë.
“Kur më ka thanë kështu nuk kam ditë për momentin çka me thanë edhe veç kam mbetë edhe më ka thënë “leje se nuk je ti që e mbanë fjalën” edhe kam dalë prej zyrës, i kam tregu shoqnisë time të ngushtë për çka më tha se ka qenë diçka shumë e rëndë me të thanë një profesor. Edhe kam dalë, i kam tregu”- thotë ajo.
Më tej, Shpresa tregon se profesori Krasniqi e kishte rrëzuar nga provimi i matematikës për gjashtë afate me radhë, edhe pse ajo kishte plotësuar testin dhe i kishe dorëzuar detyrat me kohë
“Ne nuk kemi guxu me i shkru me i thanë me na dërgu notat, për shkak se frikësoheshim se po na hakmerret në vlerësim, gjë që ka ndodhë më herët edhe në këtë afatin e nëntorit, ka prit deri sa është mbyllë sems-i mandej është dashtë me i shkru na Prodekanit që ai me i shkru për me na vendosë notat. Na ka vendosë notat në sems direkt, na ka vendosë krejtve kaluese. Nesër i ka lënë konsultimet edhe provimin me gojë edhe krejtve na ka ndërru notat”- tha ajo.
Shpresa thotë se ajo edhe koleget e saj ishin frikësuar para se të inicionin ankesën për shkak të reagimit të fakultetit por edhe të njerëzve në përgjithësi.
“E vështirë ka qenë shumë, se ne jemi tutë për shkak se qysh kanë me reagu krejt fakulteti ndaj neve edhe për shkak se ne e dimë në Kosovë qysh shkojnë këto punët e ngacmimeve, vetë thonë që e kanë lyp, domethënë janë gjithmonë qito rastet që kudo që hyn edhe tash me hy në komentet ku janë publiku, ka shumë komente që janë se mos me thanë shumica, por ka shumë komente që janë edhe kundër neve edhe neve këto sende na kanë step për mos me raportu këtë send, por e kemi pa që nuk po ndalet edhe është dashtë me ndërmarrë diçka”- thekson ajo
Në shkurt të vitit 2024, 27 studente dorëzuan ankesë për ngacmim seksual nga profesori Xhevat Krasniqi.
Lidhur me pretendimet e disa studenteve se janë ngacmuar seksualisht nga profesori i rregullt i UP-së, Fakulteti i Mjekësisë thotë se fillimisht është informuar gojarisht. Kurse, denoncimin me shkrim studentet e Fakultetit të Mjekësisë e kishin dorëzuar zyrtarisht më 27.02.2024 në Fakultet.
Ndonëse, Krasniqi ende figuron si profesor i rregullt në Fakultetin e Edukimit, e njëjta nuk është konfirmuar se qëndron në Fakultetin e Mjekësisë.
Pas denoncimit të studenteve, i gjithë menaxhmenti i Mjekësisë, dekanë e prodekanë, janë mbledhur më 04.03.2024, me ç’rast kanë ftuar edhe profesorin Krasniqi për t’ia kumtuar me gojë denoncimin e studenteve ndaj tij dhe ndërprerjen e bashkëpunimit me të
Fakulteti i Mjekësisë e ka konfirmuar se profesori Krasniqi ka qenë i angazhuar në këtë fakultet përafërsisht nga viti akademik 2016/2017, ku ka ligjëruar lëndën e matematikës në programin e Farmacisë.
Sipas Fakultetit të Mjekësisë, Krasniqi nuk e ka pranuar se i ka ngacmuar seksualisht studentet.
“Në këtë takim Prof. Xhevat Krasniqi i është komunikuar me gojë denoncimi i studentëve të Farmacisë për të. Në këtë rast Prof. Xhevat i ka mohuar akuzat për ngacmim seksual. Në fund të takimit Menaxhmenti i FM-së e ka njoftuar Prof. Xhevat se për shkak të natyrës së denoncimit dhe për shkak se rasti duhet të përcillet në Këshillin e Etikës, atij i ndërpritet angazhimi i mëtutjeshëm në Fakultetin e Mjekësisë” – kanë thënë nga Fakulteti i Mjekësisë
Pas këtij takimi, dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, denoncimin e studenteve e ka përcjellë me shkresë zyrtare në Këshillin e Etikës të UP.
Në vend të profesorit Krasniqi, në FM është angazhuar një profesor tjetër i matematikës nga Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore/ “Kallxo Përnime”/