Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq do të qëndrojë në Francë të hënën dhe të martën, më 8 dhe 9 prill ku në ditën e parë të vizitës do të takohet me presidentin francez Emmanuel Macron.
Në prag të vizitës së tij në Paris, kreu i shtetit serb tha se me Macron do të diskutojë ndër të tjera për rrugën evropiane të Serbisë, marrëdhëniet me Kosovën dhe çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Do të flasim për rrugën evropiane të Serbisë, marrëdhëniet me Prishtinën dhe Këshillin e Evropës. Nuk pres shumë, duart e tij janë të lidhura, njësoj si të miat, por besoj se Franca do të shprehë synimin e saj miqësor për të ndihmuar Serbinë sa më shumë që mundet”, tha Vuçiq, raporton Kosovo Online,
Mes tjerash ai tha se në Francë do të flasë për 14 tema – politikë, ekonomi, ushtri, por edhe bashkëpunim në fushën e inteligjencës artificiale dhe energjisë bërthamore.
Pos me Macron, presidenti i Serbisë do të takohet edhe me kryetarin e Senatit francez Gerard Larchet dhe ministrin e Mbrojtjes Sébastien Lecornu.