Lista Serbe heq dorë nga votimi për shkarkimin e kryetarëve në veri, ftohen qytetarët që të bojkotojnë procesin

by engel

Katër anëtarë të Komisioneve Komunale Zgjedhore (KKZ) nga partia Lista Serbe janë dorëhequr nga këto poste në katër komunat në veri të Kosovës, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

“Në mbledhjet e kaluara, KQZ-ja ka funksionalizuar Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, duke caktuar katër zyrtarët ekzekutivë, të cilët njëkohësisht janë kryesues të KKZ-së si dhe ka marrë vendim për emërimin e 27 anëtarëve, të cilët përfaqësojnë subjektet politike parlamentare”, tha Elezi.

banner

Ai shtoi se sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, KKZ-ja administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen ekskluzive dhe udhëzimet e KQZ-së. Njoftimi për dorëheqjen e anëtarëve të KKZ-ve nga Lista Serbe vjen një ditë pasi kjo parti – që është partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe ka mbështetjen e Beogradit – tha se nuk do të marrë pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Votimet për shkarkimin e kryetarëve të Zveçanit, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut, janë caktuar të mbahen më 21 prill.
“Qëndrimi i Listës Serbe është të mos marrë pjesë në referendumin e thirrur nga Albin Kurti [kryeministri i Kosovës], sepse ai bëri gjithçka që ai të dështojë”, tha kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, të dielën në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut.

Ai tha se janë vendosur “procedura të parealizueshme” për votimin e 21 prillit dhe se listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren” dhe se numri i shqiptarëve në listat e votuesve “është rritur”.

KQZ-ja vendosi që votimi të mbahet më 21 prill, pasi i verifikoi nënshkrimet e qytetarëve në peticionet për shkarkimin e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Nënshkrimet u mblodhën në mesin e muajit janar në përputhje me një udhëzim administrativ të nxjerrë nga Qeveria e Kosovës, me qëllim që t’i hapte rrugën shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në komunat e veriut, për shkak se popullata vendase serbe nuk ka pranuar kryetarët shqiptarë.

Sipas udhëzimit, të miratuar shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.
Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri u zgjodhën në prill të vitit 2023, në zgjedhjet të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.
Nisja e mandatit të tyre u përcoll me protesta dhe tensione majin e vitit të kaluar, që kulmuan me përleshje mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, në Zveçan më 29 maj. /rel/

banner

Të ngjajshme

Ne jemi informim.net, një portal lajmesh që kemi një qëllim të qartë dhe premtim për të qenë portal lajmesh më i shpejtë në Kosovë dhe në rajon.
Ne kemi një staf të përkushtuar gazetarësh dhe redaktorësh që punojnë vazhdimisht për të sjellë lajme aktuale dhe të besueshme për lexuesit tanë. Ne ofrojmë lajme nga Kosova dhe më gjerë, duke i kushtuar rëndësi çështjeve që ndikojnë në jetën e përditshme të njerëzve. Gjithashtu, ne kemi një fokus të veçantë në kulturë, art, dhe inovacione teknologjike.

Edtior's Picks

Latest Articles

All Right Reserved 2023

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy