Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi masën e arrestit shtëpiak për Vangjush Dakon.
SPAK kërkoi për ish kryetarin e bashkisë së Durrësit rikthimin në qeli ndërsa gjykata e liroi pasi përfunduan afatet e paraburgimit. Ai u arrestua qershorin e kaluar për shpërdorim detyre.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Dhimitër Lara, sot më 08.04.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 74 akti, datë 29.03.2024 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe apelin kundërshtues të personit nën hetim V.D., ndaj vendimit nr. 133, datë 27.02.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në lëndë të masave të sigurimit personal), dhe vendosi:
– Miratimin e vendimit nr. 133, datë 27.02.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftim
Gjykata e Posaçme liroi nga burgu ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako në muajin shkurt. Që prej asaj date Dako qëndron në arrest shtëpie, për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit.
Vendimi për lirimin e tij nga qelia u mor nga GJKKO, për shkak të afateve të paraburgimit. Ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, është i pandehur për shpërdorim detyre në dy raste, në lidhje me një pallat që u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 si dhe projektin e promenadës.
SPAK thotë se momenti i parë që Vangjush Dako ka abuzuar me postin e kryetarit ka të bëjë me dhënien e një lejeje për ndërtimin e një pallati shumëkatësh në vitin 2014, dy vjet pasi ai ishte ngritur.
Sipas prokurorisë, janë hartuar në mënyrë fiktive dokumentet për ndërtimin në një kohë, kur është provuar përmes dëshmitarëve dhe ekspertimit se ndërtimi i pallatit kishte përfunduar që në vitin 2012 dhe ai ishte i banueshëm.
Rasti i dytë, që çoi në prangosjen më 6 qershor 2023 e përfundimisht në marrjen si të pandehur të ish- kryetarit të bashkisë, lidhet me procedurat e prokurimit të shëtitores së Durrësit nga Bërryli në Currila në vitin 2014