Haradinaj: Beteja e Koshares i hapi rrugë furnizimit me armatim zonave të luftës në brendësi të vendit

by Nexhat

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në manifestimin qendror “Beteja e Koshares”.

Haradinaj ka thënë se fitorja në Koshare nuk ishte vetëm fitore morale, ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim edhe për zonat e luftës në brendësi të vendit

banner

“Sot Kosova shënon një ndër ditët më të rëndësishme të shtetësisë së saj, Betejën e Koshares dhe ditën e miratimit të Kushtetutës. Lufta jonë çlirimtare kishte disa momente vendimtare, prej të cilave edhe beteja në Koshare. Thyerja e kufirit Kosovë – Shqipëri, ishte ditë gëzimi për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për luftëtarët e UÇK-së në vija të frontit. Fitorja në Koshare nuk ishte vetëm fitore morale, ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona lufte në brendësi të vendit”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka kujtuar të rënët e kësaj beteje të 25 viteve më parë.

“Në 25-vjetorin e saj, i kujtojmë me respektin më të lartë heronjtë; Agim Ramadani, Sali Çeku, Xhemajl Fetahu dhe të gjithë të rënët, që me guximin dhe gjakun e tyre shënuan njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme të luftës sonë për liri”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj ka folur edhe për Kushtetutën e Kosovës e cila sot shënon përvjetorin e saj.

“Në po të njëjtën datë kur nderojmë luftën tonë çlirimtare dhe heronjtë e saj, shënojmë edhe Ditën e Kushtetutës. Republika e Kosovës ka Kushtetutë moderne e të avancuar që është shkruar mbi parimet më të larta të njerëzimit duke lartësuar të drejtat e njeriut, garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave si dhe është garantuese e parimeve të lirisë, demokracisë dhe drejtësisë – gardiane e fortë ndaj çdokujt që rrezikon sistemin tonë me qasje autoritare”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se në këtë përvjetor të Ditës së Kushtetutës, Kosova ka një qeveri e cila vazhdimisht e ka shkelur atë.

“Sot, në 16-vjetorin e shënimit të Ditës së Kushtetutës kemi një qeveri që vazhdimisht ka shkelur Kushtetutën, qoftë përmes nxjerrjes së vendimeve anti-kushtetuese apo mospërfilljes së saj. Andaj i bëj thirrje qeverisë që të tërhiqet nga sjelljet anti-kushtetuese dhe ta ruajnë sigurinë juridike të shtetit”, ka përfunduar Haradinaj

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy