Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se të dhënat e sistemit TIMS janë tejet delikate dhe mund të jenë marrë për disa arsye.
Komentet Spahiu i bëri në emisionin “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania, ku tha se të dhënat e TIMS mund të jenë marrë për shkaqe politike, për t’i bërë shantazh kundërshtarit, për organizatat kriminale ose për shërbimet sekrete të huaja.
Ai tha gjithashtu se shërbimet e huaja sekrete mund të kenë paguar deri në 30-40 milionë euro, për të marrë këto të dhëna.
“Nese kemi të bëjmë me një shtet banal, ku çdo gjë shitet dhe blihet, apo kemi të bëjmë me një shtet spiunësh, ku shumë të dhëna të klasifikuara përdoren për shërbime të ndryshme sekrete, për shkak se në krye të shtetit kemi njerëz që bëjnë rol të dyfishtë apo të trefishtë të shërbimeve.
Tani që ta themi më troç, kemi të bëjmë me një vepër penale që parashikon nga 3-10 vite heqje lirie. Peka kapi një çështje shumë të mprehtë dhe nëse provohet që është e vërtetë, e gjithë puna e prokurorisë bie.
Sistemi TIMS nuk do të thotë kush hyn e del në Shqipëri. TIMS ka një bazë të dhënash më të rënda se ato që kanë bërë publike hakerat iranianë. Të gjithë të dhënat e TIMS janë të klasifikuara sekret. Duke nisur nga komisionet e deri të aksionet e policisë, pra nga dosjet e policisë, nga përgjimet, nga ngjarjet kriminale.
Këto të dhëna mund të merren për 3 arsye. Mund të përdoren politikisht, për shantazh ndaj kundërshtari politik. E dyta për qëllime mafioze, që mund t’u shiten organizatave kriminale që dinë çdo lëvizje të policisë dhe paguajnë miliona euro për këto.
E treta mund të jetë për t’ua dhënë shërbimeve të tjera të ndryshme, që mund të paguajnë deri në 30-40 milionë euro për të marrë info të tilla, përshembull kush ka qenë delegacioni i Blinken gjatë vizitës në Shqipëri, etj. Pra ti u rrezikon jetën personave të shërbimeve sekrete, vetëm se publikon këto të dhëna. Kemi të bëjmë me një cëlulë të strukturuar dhe të mbrojtur politikisht”, tha Spahiu