Kryetari i Presidencës së BeH-së Denis Beqiroviq ka reaguar ndaj sulmeve të Presidentit të Republikës së Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe ka treguar faktet:
“Aktgjykimet përfundimtare të gjykatave më të larta të Kombeve të Bashkuara (Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë) konfirmuan se gjenocid ishte kryer ndaj boshnjakëve në zonën e sigurt të OKB-së në Srebrenicë. Këto janë vendime gjyqësore që nuk mund të fshihen nga historia e njerëzimit. Gjykatat më të larta të OKB-së kanë marrë vendime përfundimtare dhe asnjë spin politik i Presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk mund ta fshijë atë. Si president i një vendi që është anëtar i OKB-së, ai ka detyrimin të respektojë vendimet e gjykatave të OKB-së”, ka thënë Beqiroviq.
Sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është dukshëm nervoz sepse e gjithë bota e qytetëruar e kupton strategjinë dhe taktikat e tij manipuluese.
“Të mos harrojmë, bëhet fjalë për bashkëpunëtorin më të afërt të kriminelit të dënuar prej dekadash Vojsllav Sheshel, pjesëmarrës në rrethimin barbar të Sarajevës dhe autor i deklaratës së errët “për një serb do të vrasim 100 myslimanë. Ai është personi i fundit që mund t’i japë mësime kujtdo në rajon. Avokimi im për vlerat qytetëruese, të vërtetën dhe drejtësinë, që bazohet në fakte dhe argumente, nuk mund të ndalet me fyerje dhe të pavërteta” ka thënë Beqiroviq duke shtuar se Vuçiq, ka treguar edhe një herë se ka ndryshuar retorikën e tij, por nuk e ka ndryshuar kurrë politikën e tij përmbajtjesore.
“Ndryshe nga ai, unë vazhdoj të mbroj edhe më fort respektimin e normave elementare të së drejtës ndërkombëtare dhe vlerave qytetëruese”.