“Policia iraniane do të marrë masa të rrepta për t’u përballë me gratë që nuk respektojnë hixhabin e detyrueshëm në vende publike, në një operacion të quajtur Nour (dritë), i cili filloi sot”, tha shefi i policisë së Teheranit, Abasali Mohammadian.
Duke iu referuar sfidës së paraqitur nga një numër i madh i grave që dalin në rrugë kokë zbuluar, Mohammadian, i cituar nga TV shtetëror, theksoi se “disa gra nuk e respektojnë më hixhabin dhe nuk u kushtojnë vëmendje paralajmërimeve të policisë, kështu që ato do të përndiqen”.
Goditja vjen vetëm disa ditë pasi Udhëheqësi Suprem Ayatollah Ali Khamenei përsëriti në një fjalim se gratë në republikën islamike duhet t’i binden kodit të veshjes, pavarësisht nga bindjet e tyre.
“Çështja e hixhabit, e cila tani është bërë një sfidë e imponuar, nuk ekzistonte më parë,” tha ai dhe fajësoi “ndërhyrjen e të huajve”.
Policia morale e Iranit ka mbajtur një profil të ulët që kur shpërthyen protestat pas vdekjes në shtator 2022 të Mahsa Amini, një gruaje të re kurde që vdiq tre ditë pasi u arrestua për shkelje të kodit të veshjes në Teheran.
Policia e moralit nuk është shfuqizuar kurrë zyrtarisht nga autoritetet.
Vdekja e Amini ndezi demonstrata disamujore që autoritetet i etiketuan “trazira” të nxitura nga qeveritë e huaja.
Të shtunën, mediat iraniane, përfshirë gazetën Ham Mihan, publikuan “imazhe të pranisë së furgonëve patrullues” të Policisë së Moralit në sheshin Valiasr në qendër të Teheranit.