Linja ajrore australiane Qantas tha se do të ridrejtojë fluturimet e saj të gjata midis Perthit dhe Londrës për të shmangur hapësirën ajrore iraniane pas tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme.
Një zëdhënës i Qantas i tha AFP se linja ajrore do të ndryshojë përkohësisht rrugët për shkak të “situatës në disa pjesë të Lindjes së Mesme”.
“Ne do të kontaktojmë klientët drejtpërdrejt nëse ka ndonjë ndryshim në rezervimin e tyre,” tha zëdhënësi.
Fluturimi Perth-Londër, i cili zakonisht zgjat 17 orë e gjysmë pa ndalesë, tani do të ndalojë në Singapor për t’u furnizuar me karburant, duke e lejuar atë të mbajë një ngarkesë të plotë pasagjerësh në një rrugë alternative. Shërbimi i kthimit – Londër në Perth – do të vazhdojë të fluturojë pa ndalesë në një itinerar të ripërshtatur për shkak të erërave mbizotëruese.
Të gjitha fluturimet e tjera janë të paprekura. Me këtë vendim, Qantas i bashkohet linjave të tjera ajrore, përfshirë Lufthansa-n dhe filialin e saj Austrian Airlines, të cilët kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm për të shmangur hapësirën ajrore iraniane.