Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka marrë shkas nga deklaratat e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, të cilët e dënuan sulmin e paprecedentë të Iranit ndaj Izraelit mbrëmë, duke shkruar se është mungesë respekti nga Kosova ndaj këtij vendi, fakti që ende s’ka ambasador atje.
Hoti shkroi në një postim në Facebook se po ndihet keq për faktin se qe 3 vjet prej kur Kosova mori njohjen nga Izraeli, atje përfaqësohet me të ngarkuar, dhe jo ambasador shteti.
“Krerët e shtetit u kujdesën sot të dënojnë sulmet ndaj Izraelit. Kjo është me vend. Këtë e kam bërë edhe vetë në kontaktet e drejtpërdrejta me bartësit e institucioneve izraelite. Por ndihem keq për faktin se tri vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, Kosova ende nuk e ka emëruar Ambasadorin/en e Kosovës në Izrael. Kosova ende përfaqësohet në Izrael me “të ngarkuar me punë””, shkroi Hoti.
Hoti, i cili kishte qenë në Shtëpinë e Bardhë në Washington kur Kosova e kishte marrë njohjen nga Izraelit me ndërmjetësim të SHBA-së, tha se fakti që Kosova ende s’ka ambasador atje, është mungesë respekti ndaj shtetit hebre. Këtu, ai kujtoi edhe kritikat që i kishte marrë atëherë për marrëveshjen me Serbinë që e përfshinte edhe njohjen nga Izraeli.
“Kjo është mungesë respekti e krerëve të shtetit të Kosovës ndaj njohjes që na erdhi direkt nga Shtëpia e Bardhë pas vitesh mungese të njohjeve. Kjo është mungesë respekti ndaj shumë marrëveshjeve që Izraeli ka nënshkruar me Kosovën pas shkëmbimit të misioneve diplomatike në shkurt 2021”, shkroi Hoti.
“Këta që më shanin në Kuvend për një marrëveshje të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, e hidhnin dyshime për validitetin e kësaj njohjeje që erdhi direkt nga Shtëpia e Bardhë, duhet të tregojnë respekt e mirënjohje pë aleatët e Kosovës. Pa ta Kosova mbetet e izoluar, pa zhvillim, pa integrime euro-atlantike”, shtoi ish-kryeministri.