Flen me lutjen që të mos zgjohet të nesërmen. Thotë se për të dielli më nuk rrezoi kurrë. Që nga lufta po jeton me shenjat në trup të kriminelëve serbë, të cilët ia shuan rininë.
Kujton çdo detaj të 15 orëve ku ajo bashkë me djalin e saj u keqtrajtuan në format më mizore. Jo rrallë i kthehet makthi i para 25 vitesh, ku mëngjesin e një ditë pranvere u morr nga forcat serbe dhe u dhunua seksualisht në një stacion policor. Ajo po punonte si infermiere dhe ishte nisur për të dërguar veshmbathje dhe medikamente medicinale për ushtarët e UÇK-së.
Pas aktit makabër, ajo kishte tentuar t’i jap fund jetës. Që nga ajo kohë po përballet me shëndet të ligë, së voni është operuar për heqjen e kancerit në gji. Një jetë plot vuajtje e me kushte jo të mira, megjithatë siç tregon, detyrohet të gjitha shpenzimet t’i mbulojë vet
Emri Afërditë, viktimës i është vënë nga redaksia e KosovaPress, me qëllim të mbrojtjes së identitetit të saj.
Mëngjesin e asaj dite, ajo tregon se do ta kujtojë derisa të hyj në varr. Dita që ia ndryshoi jetën përgjithmonë, po e përcjell në çdo hap që hedh.
“Një tragjedi e cila është e paharrueshme derisa të hyj nën dërrasa, ajo është për mua e paharrueshme. Kam qenë duke shërbyer në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përndryshe kam qenë edhe si infermiere duke ju dërguar veshmbathje edhe disa medikamente medicinale. Kam hasur në policë, kam qenë me djalin. Kemi filluar të zbresim prej autobusit, na kanë ardhur policia mbrapa dhe na kanë thirr në gjuhën e tyre serbo-kroate në mënyrë më të vrazhdë, na i kanë sharë nënat shqiptare, aq vrazhdë që kanë folur. Na kanë marrë edhe na kanë dërguar në stacion policor prej orës 10 të mëngjesit deri në orën 01:00 (të natës). Maltretime, fyerje me fjalë, mandej ka ardhur edhe deri te dhunimi. Kam rezistuar sa kam mundur derisa jam dorëzuar. E kanë dhunuar djalin, më kanë dhunuar katër persona aty në prezencën e djalit”, rrëfen gruaja mbi të 60-tat
Duke folur për momentin e rëndë, ajo kujton fytyrën e secilit kriminel serbë, që përkundër rezistencës së saj, e maltretuan dhe e keqtrajtuan në format më çnjerëzore.
“Mi kanë thyer dy dhëmbë, ma kanë shky veshin, më kanë kafshuar në gjoks. Ka ora 10:00 ka ardhur ai polici i cili na ka çuar atje, më ka pyet tha ‘hala këtu’. I thash ‘po ti je ai i cili na prune pa pikë arsye’. Tha ‘jo arsye kom pasur të plot, por çfarë po jep ti për të lëshuar’. I thash ‘Një mijë marka’, ai tha ‘jo marka e ari kemi boll, kemi marrë prej shqiptarëve, kërkojmë tjetër gjë’, i thash ‘atë pa ma marr shpirtin kush nuk mundet’. Edhe ka shkuar ai dhe ka filluar dhunimi. I pari, i dyti, i treti, i katërti, në mënyrën më të vrazhdë, shtazarake derisa një copë e gjirit më ka munguar aty”, shton ajo më tej.
Nuk u mjaftuan me kaq, madje tentuan që ta detyronin një shqiptar për ta dhunuar Afërditën. I njëjti kishte rezistuar, duke mos pranuar në asnjë formë një gjë të tillë.
Afërdita: Kam vendosur që t’i jap fund jetës
“Më kanë lëshuar në orën 01:00, kam vendosur një herë e përgjithmonë me i dhënë fund jetës. Djalin e kam këshilluar ‘të lutem bir, merre jetën përpara, ti je i ri, vazhdon jeta përpara. Një shtëpi si ta shikosh të hapur bir mbroju’. Ka thënë ‘jo nënë, ti e vdekur, unë i vdekur, ti e gjallë, unë i gjallë’. Unë jam hedhur për një kerri të policisë duke kaluar aty pari duke na përcjellur. Dhe më kanë ngrehur më kanë dërguar pranë një shtëpie përsëri. Kanë tentuar dhunimin, mirëpo kur më kanë parë në çfarë gjendje të mjerueshme jam, kanë thënë ‘nuk paska çfarë të kërkojë njeriu prej saj’. Kemi shkuar zhag prej aty në ora 1 të natës te një shtëpi”, tregon ajo për KosovaPress
Klithmat e saj dhe të djalit, siç rrëfen ajo, i kishte dëgjuar një grua e cila ju dali në ndihmë me veshmbathje dhe për të pastruar gjakun që kishte mbuluar trupat e tyre. Në këtë gjendje, ata ishin nisur për shtëpi. Përveç bashkëshortit, ajo nuk mori guximin t’i tregojë dikujt tjetër.
Mes lotëve flet për jetën e saj që nga viti 99, për çka thotë se nuk gëzoi më asnjë ditë të mirë.
“Jeta ime aty ka përfunduar, kënaqësia ime aty e ka përfunduar, dielli për mua nuk ka shkëlqyer më. Dasmë për mua nuk ka pasur, bajram për mua nuk ka pasur. Për mua vetëm terr e zi. Dy persona nëse i kam parë bashkë kam thënë ‘kuku për mua po flasin, kuku ja morra djalit fytyrën, kuku ja hupa djalit karrierën, kurrë ky person nuk do të bëhet njeri kur t’i kujtohet rasti i nënës’. Një jetë të vështirë e kam kaluar edhe po e kaloj”, thotë ajo.
Jeta pas luftës i kujton vështirësitë shëndetësore e financiare, por thotë se pengun më të madh kishte “moralin”.
“Pas kafshimit të gjoksit, mua vetëm më është paraqitur një gjëndër nën sqetull,. Kam bërë kontrolle më pati dalë gjëndër dhjamore. Derisa erdhi tek kërcënoma. Jam operuar në spital privat, vizitat i bëjë në spital privat, kështu që prej shtetit deri më tash nuk kemi asnjë kartelë… Po jetoj me këtë brengë shpirtërore, unë bi, qohem dhe them ‘inshAllah nuk bëhet dritë me pas kontakt me njerëz’, thekson ajo.
Afërdita nuk gëzon pensionin kontribut dhënës e as të pleqërisë, por vetëm pensionin si viktimë e dhunës seksuale.
Feride Rushiti, e cila udhëheq Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) thotë se të mbijetuarit nuk po gëzojnë të drejtat e garantuara me ligj
“Një numër i madh i vajzave, grave, por edhe burrave të cilët kanë bartur këtë krim bartin me vete plagë të ndryshme shpirtërore por edhe fizike, kanë zhvilluar edhe sëmundje dhe si të tillë meritojnë por është edhe e drejtë e tyre të trajtohen falas nga institucionet shëndetësore të Kosovës. Po ashtu, sfidë tjetër paraqet edhe mos-kartelizimi i të mbijetuarve me një kartelë të veçantë, ashtu siç është paraparë në momentin kur është ndërtuar mekanizmi i njohjes ligjore të të mbijetuarve seksuale. Si mungesë i kartelizimit, ku nuk i del në pah identiteti i të mbijetuarit, të mbijetuarit nuk janë në gjendje në nivel lokal për të përfituar të drejtat që ju takojnë me ligj. Aktualisht ato përfitojnë vetëm pensionin”, deklaron Rushiti.
Selvi Izeti e cila punon më shumë se 15 vjet me të mbijetuarit e dhunës seksuale thotë se gratë e burrat kanë nevoja të theksuara për shërbime shëndetësore.
“Për shkak të traumës së rëndë që kanë përjetuar gjatë luftës dhe që për një kohë të gjatë këtë traumë e kanë mbajtur të fshehur, qoftë nga familjarët, qoftë nga komuniteti, trauma pa dyshim që e ka afektuar shëndetin fizik dhe shëndetin psikologjik të tyre. Kështu që ne në organizatë ofrojmë shërbime të ndryshme, duke filluar nga rehabilitimi psikologjik që fillon me terapinë individuale dhe terapinë grupore, është shërbimi mjekësor, psikiatrik dhe fizioterapia që ka të bëjë me traumën që e kanë përjetuar për menaxhimin e dhimbjes…Ndër nevojat urgjente është që të mbijetuarit e dhunës seksuale të kenë qasje në shërbimet institucionale, publike, sikur kategoritë tjera të dala nga lufta”, përfundon Izeti
Ajo shton se ligji është diskriminues për këtë kategori të luftës dhe se nuk po i gëzojnë të drejtat e tyre.
Lidhur me këtë, KosovaPress ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Drejtësisë, por sipas tyre “çështja e personave të dhunuar nuk është në fushëveprimin e Ministrisë se Drejtësisë”.
14 prilli shënon ditën memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Aktualisht janë gjashtë aktakuza të ngritura për dhunime seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Deri më tani janë rreth 2100 raste të cilat kanë aplikuar në komision dhe rreth 1600 prej tyre që e gëzojnë pensionin personal si te mbijetuar të dhunës seksuale