Kandidati për president Bujar Osmani, ka reaguar në lidhje fotografinë e cila para disa ditësh u përhap në rrjetet sociale, në të cilën shihej një hoxhë duke ia puthur dorën.
Osmani në një postim në Facebook, shkruan se “gjesti i hoxhës ishte shprehje respekti ndaj duarve të një kirurgu që ka shpëtuar jetë, jo ndaj një politikani”.
“Dje, gjatë tubimeve të fushatës, një foto ku një zotëri i moshuar më puthi dorën u përhap gjerësisht në internet. Dua të sqaroj se ky zotëri është një hoxhë i respektuar 84-vjeçar, Isnija Topalovski, hafëzi më i vjetër në Dollneni që ka shërbyer në xhaminë lokale të fshatit Debresh për 65 vjet. Së fundmi, ai ka pasur një intervenim mjekësor, dhe gjesti i tij ishte një shprehje respekti ndaj duarve të një kirurgu që ka shpëtuar jetë, jo ndaj një politikani!”.
“Shpresoj që të gjithë ata që nxituan të paragjykojnë pa pasur informacion të plotë, do të kërkojnë falje ndaj zotërisë, kurse unë ndjej keqardhje që kjo fotografi u keqinterpretua duke i shkaktuar bezdi hoxhës së nderuar. Le të vlerësojmë dhe respektojmë kontributin dhe qëndrueshmërinë e njerëzve si ai në shoqërinë tonë!”, ka shkruar Osmani.