Shtatë deputetë italianë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe një hungarez janë duke kërkuar që Kosova ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si kusht për pranimin në KiE.
Në amendamentin që e kanë paraqitur për aprovim ata theksojnë se ky është një hap i domosdoshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, përcjell Gazeta Express.
Në amendamentin e 13 të dokumentit final për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, deputetët thonë se duhet të bëhen hapa thelbësorë drejt themelimit të Asociacionit sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të jetë i theksuar qartë kur Komiteti i Ministrave të shqyrtojë në të ardhmen kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Asambleja konsideron se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një hap i domosdoshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, një detyrim ndërkombëtar i ndërmarrë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, dhe mbi të gjitha një mënyrë për të përmirësuar pjesëmarrjen dhe fuqizimin e serbëve të Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Për këtë arsye, Asambleja pret që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa thelbësorë dhe të prekshëm me qëllim themelimin e Asociacionit sa më shpejt të jetë e mundur. Asambleja konsideron se themelimi i Asociacionit duhet të jetë i theksuar qartë në shqyrtimin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në këtë amandament.