33 shkolla refuzojnë mbajtjen e votimit në veri

by Merita

Drejtorët e tridhjetë e tre shkollave në veri nuk kanë pranuar t’i japin për përdorim objektet shkollore për mbajtjen e votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, tha të mërkurën kreu i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Burim Ahmetaj.

Votimi për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviqit, Zveçan dhe Zubin Potok – do të mbahet më 21 prill, duke u bazuar në një udhëzim administrativ të Qeverisë së Kosovës.

banner

Duke folur të mërkurën në një mbledhje të KQZ-së në Prishtinë, Ahmetaj tha se në përgjithësi, 33 shkolla kanë refuzuar të ofrojnë qasje në objektet e tyre për procesin e votimit.
Shkollat në veri të vendit funksionojnë sipas sistemit të dirigjuar nga Beogradi. Në zgjedhjet e prillit 2023, KQZ-ja kishte instaluar kontejnerë, që shërbejnë si qendra votimi, pasi nuk ishte lejuar hapja e shkollave si qendra të rregullta votimi.

Ai theksoi se vetëm 10 shkolla në të gjitha katër komunat në veri kanë thënë se mund të përdoren për procesin e votimit të muajit të ardhshëm.

Nga 18 qendra të votimit në Leposaviq, tha ai, vetëm tre prej tyre janë të qasshme, ndërsa “15 të tjera, drejtorët kanë refuzuar t’i japin për përdorim për procesin e votimit”.

“Në komunën e Zubin Potokut, nga 12 qendra të votimit të miratuara, dy pre tyre janë të qasshme, por 10 të tjerat drejtorët e shkollave kane refuzuar t’i japin për përdorim. Në komunën e Zveçanit, nga gjashtë qendra të votimit të miratuara, dy prej tyre janë të qasshme dhe katër të tjera kanë refuzuar. Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut janë shtatë qendra, tri prej tyre janë të qasshme, ndërsa katër të tjera kanë refuzuar”, shtoi ai.

Ai tha se Sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve “është duke punuar intensivisht” për gjetjen e lokacioneve të reja alternative që do të shërbejnë si qendra të votimit për ditën e votimit më 21 prill.

“Ligji i detyron këto komuna dhe drejtorët e shkollave t’i japin për përdorim këto objekte publike për procesin e votimit”, theksoi ai.

Aktualisht, në këto komuna janë në pushtet kryetarët shqiptarë, të cilat i kanë fituar zgjedhjet e bojkotuara nga serbët në prill të vitit 2023.

Kjo çështje ngriti tensione në vitin 2023, të cilat nxitën bashkësinë ndërkombëtare të insistojë për shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale.

Megjithatë, tani është e diskutueshme nëse votimi i ardhshëm për zëvendësimin e kryetarëve do të jetë i suksesshëm, për shkak se partia më e madhe e serbëve në Kosovë – Lista Serbe – ka vendosur të tërhiqet nga i gjithë procesi, ndonëse më parë e ka mbështetur atë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy