Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, Kryeministri Kurti tha se Serbia po kërkon tensione sepse nuk i konvenon normaliteti “paqe, siguri e qetësi”,
Ai tha se sot në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të rinj të Policisë së Kosovës kanë diplomuar edhe 37 qytetarë serbë.
“Serbia kërkon tensione sepse nuk i konvenon normaliteti. Normaliteti nënkupton paqe, siguri e qetësi në rajon. Sa më shumë që ka paqe, siguri e qetësi në rajon aq më e parëndësishme bëhet Serbia andaj vepron gjithnjë në drejtim të kundërt. E teksa pas mbi 20 orësh maltretimi e ndalimi shumica dërrmuese e qytetarëve vazhduan rrugëtimin e tyre, dje pesë qytetarë të Republikës, pjesëtarë të Policisë së Kosovës u mbajtën edhe më tej, prej tyre katër nga komuniteti serb dhe 1 shqiptar. Gjatë mbledhjes së Qeverisë u informuam për lirimin e katër policëve por jo edhe të zv/drejtorit Jankoviq, pra në mesin e atyre që janë mbajtur qysh herët dhe vazhdojnë të mbahen edhe tani është edhe zv/drejtori i Policisë Dejan Jankoviq. Ai sot do duhej të ishte në ceremoninë e diplomimit të kadetëve policorë, ai e meritonte të ishte sot në ceremoni si zv/drejtor për burime njerëzore, ai është angazhuar drejtëpërdrejt për përgatitjen e kësaj gjenerate të 59’të të policisë së Kosovës, që në mesin e saj ka edhe 37 policë nga komuniteti serb”, tha Kurti.
Ai kërkoi lirimin e menjëhershëm dhe të pa kusht të Jankoviqit.